Padi kundër presidentit të Barcelonës

Një ndër aksionerët e Barcelonës ngriti një padi kundër presidentit, Sandro Rosell.

Jordi Cases, i cili të hënën depozitoi padinë në Gjykatën e Barcelonës, pretendon se numri një i klubit ka devijuar 40 milionë euro në mënyrë të paligjshme, gjatë operacionit të blerjes së Neymar.

Akuza bazohet mbi klauzolat e kontratës së blerjes së sulmuesit brazilian, ku përfshihen klauzola të shumta për pagesa që do të kryhen në forma të ndryshme në vitet në vazhdim.

Sipas paditësit, nuk ka transparencë për mënyrën se si do të paguhen këto para, ndërsa figuron që nga arka e klubit është nxjerrë i gjithë fondi prej rreth 70 milionë eurosh, që duhet të kishte mbyllur përfundimisht blerjen e Neymarit.

Qëllimi i këtij devijimi mund të jetë, sipas akuzës, shmangia e detyrimit të pagimit të dividentëve për aksionerët.

Në një reagim, presidenti Rosell theksoi se asgjë nuk është e vërtetë dhe se ai mbetet i qetë në kryerjen e funksioneve të tij. 

Lajme të ngjashme

Back to top button