Mesila Doda feston me socialistët Ditën e Rinisë, s’e konsideron “mëkat”

Deputetja e PD, Mesila Doda ka sqaruar sot pjesëmarrjen saj në festën e Ditës së Rinisë të organizuar nga kryeministri Edi Rama dhe studentët dhjetoristë, duke theksuar se në këtë ceremoni ajo ishte e ftuar nga miq të saj, studentë të Dhjetorit.

Duke iu referuar debateve të shumta, veçanërisht në rrjete sociale mbi praninë e saj në krah të Ramës, Doda përgjigjet se nuk ka asgjë të gabuar në atë pjesëmarrje dhe se nuk është krim t’i japësh dorën kryeministrit të vendit tënd.

Deklarata e plotë e Dodës në FB

“Të nderuar miq!

Duke pare tendencen e disa mediave dhe skiftereve te cilet edhe megjithse e dine fort mire te verteten, jane sulur per te gjetur armikun me qellim qe te kapin ndonje cope nga udheheqsit, jam e detyruar te sqaroje si me poshte:

1. Unë nuk isha e ftuar askund nga kryeministri, por nga miqtë e mi studentë të Dhjetorit, të cilët kanë të drejtën të ftojnë gjithkund në spektrin politik, ndërsa unë në aktivitetet e tyre kam gjithmonë  një vend dhe do shkoj me kënaqësi.

2.T’i japësh dorën kryeministrit nuk është krim e për me tepër të qëndrosh në të njëjtin aktivitet me të nuk konsiderohet vepër e gabuar. Kjo është një botë ku takohen Thaçi dhe Daçiq, ku takohen në dreka e darka formale dhe informale familjare  liderët kundërshtarë, ndaj as nuk dua t’ja di pse dikujt i duket e çuditshme që unë të sillem njerëzisht me kundërshtarin tim politik. Është diçka që unë do ta vazhdoj ta bëj në respekt të bindjes sime që edhe me kundërshtarin duhet të sillesh me dinjitet dhe qytetarisht, ndërsa idetë politike përballen pa kompromis.

3.I ftoj gjithë armiqtë e mi dhe mentorët e tyre politikë, që t’i zbrazin si të duan inatet e tyre se kjo mund të përmirësojë shëndetin e tyre mendor dhe karrierën. E vetmja ndjesi që më krijojnë është ajo e një kurajoje edhe më të madhe për të vepruar dhe thënë të vërtetën, kur kuptoj sa frike me paskan pasur.

4. I ftoj gjithë miqtë dhe mbështetësit e mi dhe të gjithë ata që më kanë besuar, të vazhdojmë së bashku rrugën e një politike të vërtetë, qytetare, opozitare dhe me zemër të pastër, në respekt të bindjeve tona. I ftoj që të mos ligështohen dhe të mos bien pre e provokimeve apo fyerjeve meskine. Politika s’bëhet as me tërbim e as me frike, bëhet me këmbëngulje, ide të reja, me vërtetësi e pa komplekse.

Lajme të ngjashme

Back to top button