Shqiponja shqiptare, simbol veshjesh në Brazil (Foto/Video)

Veshjet të cilat mbajnë simbolin shqiptar – shqiponjën dykrenore, janë bërë të famshme në Brazil.

Këto rroba kanë filluar të pëlqehen edhe nga personalitetet e njohura në atë vend, ashtu që ish-sulmuesi i Milanit, Alexandro Pato, ka publikuar në Instagram një fotografi në të cilën luan me qentë, ndërsa ka të veshur një bluzë të bardhë me shqiponjën në gjoks.

Disa nga komentuesit kanë reaguar menjëherë për të treguar se bëhet fjalë për simbolin shqiptar. Madje ka pasur të tillë që kanë shkruar se “Pato dëshiron të bëhet shqiptar”.

E vërteta është se shqiponja dykrenore e flamurit tonë kombëtar është simbol firmës së njohur të veshjeve në Brazil – “Cavalera”.

Nëse hapni faqen e internetit të kësaj kompanie do të shihni shqiponjën që është emblema bazë e tyre. Po ashtu, në të gjitha veshjet e kësaj firme dallohet simboli i shqiponjës, identike me atë të flamurit shqiptar. Veshjet e dizajnuara nga kjo firmë, janë për t’u veshur çdo ditë dhe vishen kryesisht nga moshat e reja.

Telegrafi në kërkim për të marrë sqarimin rreth shfrytëzimit të simbolit shqiptar nga kjo kompani, gjeti këtë shpjegim nga stafi i tyre që u drejtohet shqiptarëve të interesuar për përdorimin e simbolit të tyre kombëtar:

“Edhe pse kjo logo është shumë e ngjashme me flamurin shqiptar, shqiponja dykrenore gjendet në shumë flamuj të tjerë, si flamuri i Malit të Zi, flamuri shtetëror i Serbisë, flamuri i Kishës Ortodokse Greke ose flamuri i shtetit autonom monastik Mount Athos. Origjina e kësaj shqiponje vjen nga Perandoria Bizantine dhe është e lidhur me religjionin, familjen perandorake, simbolet etj… Besojmë që kjo informatë do t’ju shërbejë të gjithëve, prandaj mos bëni shumë zhurmë rreth kësaj”, thuhet në sqarimin e stafit.

Padyshim që një sqarim i tillë është për të shmangur të vërtetën, pasi që shqiponja e tillë dykrenore është vetëm simbol i shqiptarëve, derisa shqiponjat që shfrytëzojnë të tjerët janë ndryshe. (Për më shumë lexoni: Historia e flamurit Kuq e Zi).

Kompania “Cavalera” është themeluar në vitet e nëntëdhjeta nga ish-bateristi i metal bendit “Sepultura”, Igor Graziano Cavalera.(Telegrafi)

Lajme të ngjashme

Back to top button