Rama: Nuk do t`i pranojmë armët kimike

Kryeministri Edi Rama, deklaroi se Shqipëria ishte parimisht “pro” shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. 

Gjatë një konference në Kryeministri, Rama tha se nga procesi nuk do të kishte asnjë mbetje kimike, porse nga procesi do të shkatërroheshin edhe mbetjet kimike të Shqipërisë.

Fjala e kryeministrit:

Në 11 shtatorin e sapo shkuar, e nisa fjalën time me kullat binjake. Ishte koha kur armët kimike të Asadit kishin bërë kërdinë. Në përputhje të plotë t boshtit strategjik të politikës së jashtme të Shqipërisë unë theksova se Shqipëria do të ishte përkrah Shteteve të Bashkuara.
Më pas u kontaktuam nga aleati ynë i madh, SHBA për t’u angazhuar në shkatërrimin e armëve kimike siriane dhe përgjigja jonë ishte përgjigja e këtyre 20 vite e të gjithë partive politike deri dje paradite.

Po në parim jemi të gatshëm të përfshihemi në operacion, por nuk kemi asnjë kapacitet të brendshëm për të marrë pjesë në këtë aksion.

A mund dhe a duhet t’i thoshte jo në parim Shteteve të Bahskuara Shqipëria? a mund të imagjinohet se SHBA mund t’ia heqte armët një vrasësi për të vrarë një vend aleat? A mundet një mendje normale se SHBA mund të çonte vendet aleate në shkatërrim?
Unë nuk po ju them se shkatërrimi i armëve kimike është sikur të hash një karamele, as nuk mund të them se procesi është i lehtë.

Kjo është pjesa e vështirë e një marrëdhënie strategjike që kombit dhe vendet marrin më shumë se ç’japin. Kjo është marrëdhënia pasi sot Millosheviçi mund të ishte në qafë e sipër të kombit tonë.

Në këtë pikë dua t’i shoh në sytë të gjithë, të gjithë ata që më dhanë besimin më 23 qershor që sot janë të frikësuar për një skenar apokalipsi për Shqipërinë.

Ju që më votuat për ëndrrën e rilindjes së këtij vendi, dhe që më kërkuat që të mos vriten kurrë më njerëz nga zyrat e kësaj dritare, ju prindër dhe gjyshër, vajza dhe djem, që sot prisni përgjigje, ju që përzutë ata që e lanë Shqipërinë në borxhe e katrahurë, për të gjithë ju, mësojeni sot dhe ju lutem përunjësisht deri në ditën kur do të më mbanit në këtë detyrë, nuk do t’ju tradhtoja ju, për asgjë e për asnjë interes që do të cenonte jetën tuaj qoftë edhe për një fije. Unë nuk do të merrja kurrë një vendim që nuk do e ndaja me ju, pa marrë vendimin në Parlament, dhe pa pasur shpirtin në paqe. Zhurma ishte shumë e madhe dhe shqetësimi i sajuar i tmerrit ishte shumë i thellë, pse nuk ju thashë dot më shumë? Pse nuk e bëra më parë të ashtuquajtur transparencë nga ata që ju dhanë plumbin ballit në bulevard.
Ky të dashur miq është një operacion i komplikuar dhe si i tillë nuk mund të jetë publik. Dua t’ju siguroj sot se në të gjitha proceset e diskutimeve gjatë këtyre javëve duke kërkuar përgjigje për çdo pyetje nga ekspertët e aleatëve tanë. Unë jam përpjekur me shumë vullnet për të mos lejuar në territorin shqiptar asnjë mbetje.

Me vinte sot përmes dritares thirrja e të gjithë protestuesve se e duam Shqipërinë si gjithë Evropa. Këtë u kam përsëritur miqve tanë, amerikanë dhe evropianë dhe na ndihmoni të mos jemi një kosh plehrash të Evropës, nda ndihmoni për të mirën e njerëzimit.

A e dini në Shqipëri se ka 31 zona të rrezikshme, të cilat nuk vrasin për një ditë, por vrasin ngadalë. Shqipëria e varfër nuk mund t’i linte pa paguar rrogat dhe pensionet, për të shkatërruar këto armë. Në fund të gjithë ramë dakord që të mbaronim punë një herë e mirë me të gjitha mbetjet e 50 viteve komunizëm.

Po ashtu u mirëkuptuam për largimin nga Shqipëria të të gjitha mbetjeve të fazës së dytë të përpunimit. Në Shqipëri nuk do të vinin bombat, por vetëm mbetjet e tyre. Kështu, nuk do të mbeteshin në Shqipëri asnjë mbetje kimike që vënë në rrezik jetën e të rinjve tanë.

Asnjë vendim nuk është marrë, sepse asnjë vendim nuk mund të merrte Shqipëria pa u marrë në Parlamentin e vendit. Ne vërtetë jemi vend i vogël, por nuk mund të bëhemi të mëdhenj duke bërtitur Shqipëri Etnike pa Armë kimike. Të dashur të rinj protestues, protesta juaj në rrugët e Tiranës ka qenë e vetmja dallëndysheje e pastër në qiellin e nxirë me urrejtje. Unë ndihem mirë për ju që dje kishin frikë për protestë, sot dalin në protestë pa patur frikë nga forcat speciale.

Sot është dita që t’ju them: Shtetet e Bashkuara nuk vrasin njerëz. Pa Shtetet e Bashkuara, bota nuk do t’i kishte mundur dot as Hitlerin dhe as komunizmin. Pa Shtetet e Bashkuara sot në Shqipëri, nuk do të kishte protesta të armëve kimike dhe me siguri burgjet do të ishin plot me të përndjekur politikisht.

Ka vetëm një pikë ku unë u ndala, pamundësi për t’u përfshirë brenda afatit të caktuar në shkatërrimin e armëve kimike.

E prandaj, ky element kaq i rëndësishëm për mua sot mungon, e prandaj ju them ju dhe partnerëve ndërkombëtar: Shqipëria e ka të pamundur të jetë pjesë e këtij procesi!

Lajme të ngjashme

Back to top button