Granit Xhaka: Do e kem vështirë të luaj ndaj vëllaut dhe Shqipërisë

Granit Xhaka është vënë në mes të dy zjarreve. Mesfushori prishtinas e pret me përtesë të madhe ndeshjen ndaj Shqipërisë, pasi sa herë që luan me Kuqezinjtë vihet në siklet, duke e pasur parasysh se edhe vetë është shqiptar.

Ai e përfaqëson Zvicrën dhe shorti deshi që në Kampionatin Evropian, i cili do të jetë historik për Shqipërinë, të përballet me vëllain e vetë, Taulantin, që luan me ekipin e Gianni De Biasit.

Ky takim do të jetë i rrallë, pasi nuk kishte ndodhur në të kaluarën që dy vëllezër të luajnë në Evropian kundër njëri-tjetrit. 23-vjeçari, i cili gjendet në Kosovë për pushime, i ka shprehur për “Zërin” emocionet që ndien për ballafaqimin me Shqipërinë.

Për të, kjo nuk do të jetë hera e parë që luan ndaj Kuqezinjve. Sidoqoftë, ai premton se në fushë do të bëjë më të mirën për skuadrën helvetike.

“Jo vetëm kundër Taulantit që është e vështirë të luaj, por edhe kundër Shqipërisë. Kemi pasur ndeshje me Shqipërinë edhe para dy vjetësh dhe ka qenë shumë e vështirë. E tash kur është edhe vëllai im që luan për Kuqezinjtë, do të jetë edhe më e vështirë. Megjithatë, ne jemi profesionistë dhe duhet të luajmë”, thotë Xhaka për “Zërin”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button