Thaçi: Djegia e veturës së kryetarit të Gjykatës, e motivuar nga politika e frikësimit

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi e ka dënuar djegien e veturës së kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës Hamdi Ibrahimit, duke thënë se ky është edhe një sulm tjetër kundër institucioneve të shtetit dhe presion mbi organet e pavarura të Republikës së Kosovës

Sipas Thaçit, djegien e veturës zyrtare e kanë bërë njerëz të caktuar të shtyrë nga motive politike me qëllim frikësimin e zyrtarëve dhe destabilizimin e shtetit. “E papranueshme djegia e veturës zyrtare të kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, për ata që ia duan të mirën Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

“Me këto veprime të kundërligjshme, grupe të caktuara të motivuara politikisht, po mundohen t’i frikësojnë bartësit e këtyre institucioneve dhe t’i destabilizojnë strukturat themelore shtetërore, politike e kushtetuese të Republikës së Kosovës”,shkroi Thaçi.

“Këto veprime politike, që po e cenojnë rendin publik, janë vazhdimësi e veprimeve të atyre që po e cenojnë rendin kushtetues në Kuvendin e Kosovës”.

Thaçi ka përsëritur edhe njëherë se dhuna nuk është rruga e duhur me të cilën duhet të synohet marrja e pushtetit.

“As shteti dhe as pushteti nuk fitohen dhe ndërtohen me dhunë, por me respektimin e vullnetit të popullit, me respektimin e ligjeve, me dialog, durim, punë dhe përkushtim”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button