Përfunduan deklaratat hyrëse në Gjykimin në Hagë

Në Gjykatën Speciale në Hagë kanë përfunduar deklaratat hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mbrojtësit të viktimave dhe ekipeve të mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Kallxo. Në ditën e tretë të gjyqit ekipi mbrojtës i ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi, kishte deklaratën hyrëse.

Krasniqi iu drejtua trupit gjykues duke thënë se nuk ka kryer ndonjë krim, as para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës.

Ai e ka cilësuar si absurde akuzën se ka persekutuar anëtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, teksa shtoi se vetë ka qenë anëtar i LDK-së.

Në ditën e dytë të gjykimit, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit kishin deklaratat hyrëse.

Mbrojtja e Thaçit, avokati regory Kehoe, i tha Dhomës së Specializuar të Kosovës gjatë deklaratave të tij hyrëse të martën se Thaçi nuk kishte komandë mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Mbrojtja e Kadri Veselit, Ben Emmerson ka deklaruar se historia e trafikimit të organeve është mit.

Ndërsa, sipas mbrojtjes së Rexhep Selimit, në aktakuzë nuk ka aludime se ai ka urdhëruar ndonjë krim të pretenduar.

Thaçi në fjalimin e tij para trupit gjykues tha se ndjen “pendim dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte pa paragjykime”, por shtoi se “viktimat nuk gjejnë drejtësi kur të pafajshmit ndiqen penalisht”.

“Pres të lirohem” – shtoi ai.

Kurse, Rexhep Selimi në fjalën e tij ka deklaruar se aktakuza është e pambështetur, dhe se ai me bashkëluftëtarët e tij do të kthehen të pafajshëm.

Katër ish-krerët e UÇK-së po akuzohen për katër krime të pretenduara lufte dhe gjashtë kundër njerëzimit, ku përfshihen përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Data 11 prill është rezervuar për paraqitjen e provave të Prokurorisë dhe dëgjimin e dëshmitarëve.

Dhomat e Specializuar në Hagë kanë konfirmuar se data e synuar për mbylljen e paraqitjes së provave nga Prokuroria është 1 prilli 2025.

Me këto ritme, gjykimi për të akuzuarit pritet të zgjasë me vite.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023 e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e publikuar janë bërë të ditur edhe emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë në vitin 1998 dhe 1999.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button