Problemet e teksteve shkollore skandaloze në kurriz të nxënësve edhe në 2016-tën
Edhe këtë vit apo gjegjësisht gjysmë vjetorin e parë, nxënësit shqiptarë po e përfundojnë me një mungesë të madhe të teksteve shkollore, me fyerje skandaloze në librat ekzistues nga të cilët mësojnë, si dhe me libra të shkatërruar.
Mësimdhënësit, prindërit u ankuan shpesh herë për përmbajtjen, kualitetin si dhe mungesën e librave, mirëpo ankesa e tyre hasi në vesh të shurdhër për arsye se Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ende nuk ka ndërmarrë asgjë për asnjë nga ankesat e parashtruara.
Premtimet e ministrit të Arsimit Ademi, se të gjitha shkollat në vend do të furnizohen me tekstet shkollore, nuk u realizuan. Një muaj më parë vet Ademi për mungesën e teksteve kishte fajësuar drejtorët e shkollave.
Gabimet skandaloze që hasen në tekstet e tanishme shkollore, dhe që janë të natyrës së ndryshme, duke filluar nga gabimet gjuhësore, konceptuale e deri te fyerjet do të vazhdojnë të jenë prezent edhe gjatë këtij viti.
Edhe pse tani më një kohë u nënshkrua Marrëveshja në fushën e arsimit mes MASH-it të Maqedonisë dhe Shqipërisë, ende nuk ka asgjë konkrete se si mund të ndihmojë Shqipëria, Maqedoninë për përmirësimin e teksteve skandaloze.