Shpërbleni kamerierët, së paku, me një buzëqeshje të lehtë!

Ishte tepër bujar, i përzemërt, njeri me parime dhe qëndrime njerëzore, i këndshëm, i lexueshëm, ishte me një bagazh të plotë përvojash teorike, pedagogjike dhe praktike. Posedonte një eksperiencë të jashtëzakonshme jetësore  dhe unë e shihja atë si një autoritet të fuqishëm. Ishte mësimdhënës i vërtetë nga i cili mund të mësoje shumëçka. Sa herë që më jepej mundësia qëndroja pranë tij duke i bërë pyetje nga më të ndryshmet.

Më kujtohet një rast kur me këtë tim kolegë, që dikur kishte qenë edhe mësimdhënësi im, qëndronim në zyrë, sepse kishim orë të lirë. “U shkatërruam!” – e fillova bisedën i tensionuar. “Punë e  rëndë është kjo puna jonë, punë e mundimshme, punë nervash, punë stresi!”- vazhdova më tej. Ndërkaq, ai ndërhyri me një zë tepër të qetë, por shumë bindës. “Të gjitha profesionet, i dashur kolegë, janë të vështira, bile të gjitha janë shumë të rëndësishme.” “Jo profesor, nuk është e vërtetë,  ka edhe prej atyre që janë të lehta, madje shumë të lehta”- e kundërshtova. “P.sh. të jesh kamerier, a nuk është punë e lehtë?” Profesori buzëqeshi dhe tha: “Për këtë profesion edhe unë, dikur, kisha të njëjtin mendim, por u zhgënjeva!” Derisa me një stilolaps po i binte lehtë tavolinës, vazhdoi: “Në bregdet, shumë vite më parë, kishim një restorant. Një ditë, kamerieri m’u lut, nëse do të mund ta zëvendësoja, ngase të nesërmen ai kishte punë në qytet. Mendova përse të mos e zëvendësojë kur kjo nuk është ndonjë punë e vështirë. Pa hamendje e pranova kërkesën e tij.

Në mëngjes veç më isha në restorant duke u vërtitur andej-këndej tepër i disponuar, madje në disa momente edhe këndoja, me zë të ulët. Atë paradite, më dukej se edhe Dielli po shkëlqente më ndryshe nga ditët e tjera. Derisa po e rregulloja mbulesën e një tavoline, dy persona u vërejtën te dera e hyrjes, të cilëve, pasi u ulën, ju afrova me shumë delikatesë! Më sjell një kafe të shkurtër, tha i pari, ndërsa për mua një lëng molle – tha tjetri! Me hapa të lehtë u drejtova drejt barit për të bërë porosinë. Më dukej vetja si flutur, kisha vetëbesim të tepruar. Bile, edhe salla madhështore më dukej e vogël. Kaloi një kohë bukur e gjatë kur në derë u shfaq një person i moshës së mesme, i cili duke u ulur në një skaj të restorantit, porositi ‘Makiato’ me qumësht të ftohtë…

Ishte gati mesditë, ndërsa unë kisha shërbyer vetëm ca persona. Tani fillova të nevrikosem, sepse dëshiroja lëvizje, zhurmë, gjallëri … sepse kjo monotoni sikur po më shkatërronte.

Pas shumë sorollatjeve, vërejta se dikush iu afrua derës së hyrjes. Ishin tre persona, të cilët shkuan dhe u ulën në një tavolinë në mes të restorantit. Njëri porositi picë me kërpudha, tjetri makarona ndërsa i treti çorbë viçi. Nuk kaloi shumë kohë dhe ja edhe dy të tjerë afër këtyre tre të parëve. Për mua një pjatë me patate, tha i pari, ndërsa për mua një supë domatesh, tha tjetri që dukej shumë hijerëndë! Sapo tentova që t’i afrohem derës së kuzhinës, dikush nga larg më porositi një tonik, ndërsa tjetri një çaj të kuq, pa sheqer. Dhe tani kur po shqyrtoja se kush çka më ka porositur, në një skaj të restorantit pranë dritares po pritnin një grua dhe një burë i moshuar. Plaku porositi një tortë molle ndërsa gruaja një limonadë. Meqë nuk kisha shënuar asgjë në letër, filluan të më tolloviten porositë. Këtë e vërejta kur atij që kishte porositur picë me kërpudha ia ofrova atë me sallam, ndërsa tjetrit – kamomil, në vend të çajit të kuq. Ndërkohë, një djalosh me flokë të gjata, që ishte ulur te tavolina pranë derës së hyrjes dhe që nuk e di se kur ishte futur brenda, m’u drejtua me një thirrmë shurdhuese: ma jep një ujë me gaz, por të mos jetë shumë i ftohtë, dhe një picë ‘Margarita’ të madhe, me piperka djegëse. Në çastin kur edhe dikush tjetër më thirri në verandë për ta shërbyer, nga mesi i restorantit u dëgjua një zë që kërkonte ta bëjë pagesën. Pas porosisë nga veranda, disi i hutuar iu afrova personit për pagesë. Sa duhet, më pyeti? Në fakt, unë nuk e dija çka kishte porositur, por si me hamendje i thashë: 500 lekë. Ky, i hutuar ma ktheu: shumë shtrenjtë, unë kisha vetëm një kafe!…

Pas këtij gabimi, duke mos dashtë që të bëhem horr, dhe duke mos ditur se kush çka kishte porositur, mundohesha që të jem më i arsyeshëm në çmime. Fillova të flas kuturu: për ju 90 lekë, këtu 60 lekë, aha, ju 130 lekë..! Mirëpo, kjo punë e imja tani krijoi problemin tjetër. Ndoshta klientët të kënaqur nga çmimet e leverdishme, i kishin lajmëruar edhe të tjerët që të vijnë këtu, sepse paska ulje ekstreme te çmimeve! Salla e restorantit mbushej gjithnjë e më tepër. Porosi të tepërta! Në vend të kafesë dikujt i ofrova çaj, në vend të supës tjetrin e shërbeva me çorbë, akulloret i zëvendësova me ëmbëlsira. Kaos i vërtetë!

Në restorant dëgjohej vetëm fjala kamerier, kamerier pagesën, kamerier ne u harruam, kamerier…! Dikur më vonë, filluan që të mos më  thërrasin në emër, filluan të fishkëllenin, hej, pshsh, pss, çun të lutem, …! Më dukej vetja se jam në stadium, e jo në restorant. Nuk kisha ide për kohën, nuk e dija sa kishte vajtur ora! Në vete mendoja se duhet të jetë fundi i ditës, ngase salla, falë zotit, po zbrazej dalëngadalë…

Ishte gati mesnatë, ndërkaq mua më dukej se po rrotullohej restoranti. Një çift bashkëshortor sapo hyri në restorant dhe u drejtua nga veranda. Vajza kishte të veshur fustan të bardhë, ndërsa djali një kostum të zi. Njëri porositi një ëmbëlsirë me bajame dhe një limonadë, ndërkaq tjetra një bozë dhe dy tullumba. Derisa mezi po i shërbeja, befas u ngatërrova dhe bashkë me tabakanë u përplasa në tavolinën e të rinjve. Kur boza e derdhur përfundoi në fustanin e bardhë të nuses, dhëndri, tepër i mllefosur, më kapi për gjoksi dhe më plasi në dysheme. Duke m’i venduar duart në fyt më tha: Do të mbys, ma shkatërrove martesën i poshtër, kjo është dita ime e parë në muajin e mjaltit… Prej kësaj situate të llahtarshme më zgjuan të afërmit e mi që kishin ardhur të më vizitonin në spital…

Ky bashkëbisedim më detyroi që ta ndryshojë kuptimin për profesionin e  kamerierit. Andaj, mos u bëni shpirtngushtë, por shpërbleni kamerierët, nëse jo më shumë, së paku me një falënderim të sinqertë, të përzemërt, njerëzor, e pse jo edhe me një buzëqeshje të lehtë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button