‘Kush nuk flet shqip, largohet nga ekipi Kombëtar’
Arjan Bellai ka paralajmëruar futbollistët e Kombëtares U19 që të flasin vetëm shqip.
Përzgjedhësi i Kombëtares U19, Arjan Bellai ka thënë se futbollistët e tij duhet të flasin vetëm shqip, në të kundërtën do t’i largojë nga ekipi.
Shqipëria në këtë grupmoshë ashtu sikurse edhe në U21 dhe ekipin e parë ka shumë lojtarë që kanë lindur në vende të ndryshme të Evropës dhe gjuhë të parë kanë gjuhë të tjera.
“Duke pasur futbollistë nga shtetet e tjera, i kam ndaluar rreptësishtë të flasin gjuhë të huaj. I kam thënë nëse dëgjoj dikë që flet në gjuhë të huaj, ikën nga ekipi. Këtu përfaqësojmë shqiponjën dhe asnjë tjetër”, tha Bellai për SuperSport.al.
Kuqezinjtë e vegjël U19 sot kanë fluturuar drejt Tbilisit të Gjeorgjisë së largët, ku deri më 17 nëntor, ata do të zhvillojnë ndeshjet eliminatore të grupit të 8të për kampionatin evropian të kësaj moshe.
Në këtë fushatë eliminatore përballë kuqezinjve tanë U19 janë skuadra të forta, si Austria, Uellsi dhe Gjeorgjia vendase.