Ngecin reformat në gjyqësor, mungon sundimi i ligjit

Akademia e Shkencave dhe Arteve në Maqedoni, sot në Shkup ka organizuar debat shkencor me temë “Pavarësia e gjyqësorit”. Shkeljet ligjore, mosrespektimi i afateve të procedurave gjyqësore, stërzgjatja dhe ndikimi i pushteteve në gjyqësorë janë theksuar si probleme, nga ana e ekspertëve juridik, që urgjentisht duhet të zgjidhen për t’i lënë hapësirë sundimit të ligjit, raporton Portalb.

Sipas akademikut Vllado Kambovski, çështja e pavarësisë së gjyqësorit është çështja e lirive themelore të njeriu. Ai potencon se Ligji i këshillit për verifikimin e fakteve dhe ngritjen e procedurës për verifikimin e përgjegjësisë së gjykatësit, nuk ekziston asnjë fjalë për atë se, para cilit organ ky këshill përgjigjet.

“Çështja më sublime është se cila është baza kushtetuese për formimin e një organi të tillë, me aq kompetenca të larta, ajo sipas meje është një organ hetuese i gjyqësorin që në vazhdimësi do t’i përcjell gjykatat dhe gjykatësit, me autorizim që në çdo kohë të bënë inspektimin në lëndët konkrete, ta shqyrton raportin e Këshillit Gjyqësor e tjerë.. A nuk është kjo ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, a nuk do të thotë kjo shkelje e parimit të kësaj pavarësie. Kuptohet e nevojshme është që të përcjelljen rastet me parregullsi dhe shkelje ligjore, në punën e gjykatave. Mirëpo a duhet kjo të realizohet në këtë mënyrë, apo duhet të kërkohet zgjidhje tjera sistemore, të cilat janë prezent në sistemet tjera komparative”, sqaroi Kambovski.

Që nga viti 2004 kemi ardhur në përfundim se sistemi gjyqësor duhet të reformohet me qëllim që i njëjti të bëhet efektiv dhe rezistues ndaj çdo ndikimi, me c’rast do të shndërrohet në mbrojtje të së drejtës dhe sundimit të ligjit, kështu është shprehur Avokati i Popullit Ixhet Memeti

“Dy shtyllat kyçe, në bazë të se cilave duheshe të mbështeten reformat ishin forcimi i pavarësisë dhe rritja e efikasitetit. Këtyre reformave duhej t’i paraprinin stabiliteti institucional, departizimi dhe ngritja e kapaciteteve të pushteteve në kryerjen e funksioneve të tyre. Ne, sot fatkeqësisht flasim për temat e njëjta edhe pas 11 viteve, ne ende flasim për pavarësimin e gjyqësorit. Unë me këtë rast, me keqardhje do të konstatojë se edhe përkundër faktit se Avokati i popullit në raportet e tij ka detektuar dobësi dhe ka dhënë rekomandime, të njëjtat nuk janë shfrytëzuar”, deklaroi Memeti.

Nga puna jonë, shton ai, kemi përfunduar se qytetarët ankohen se gjykatësit vendosin nën presion.

“Qytetarët ankohen edhe për anulim dhe stërzgjatje të procedurave gjyqësore, nuk respektohet principi i gjykimit në afat racional dhe ne ende flasim për gjyqësor të pavarur”, informoi Memeti.

Profesori universitar Lubço Arnaudovski vlerëson se problemi i pavarësisë së gjyqësorit është thelb i shtetit të së drejtës.

“Në këtë shtet, pushtete tjera nuk e kuptojnë se gjyqësori siguron që shteti të funksionojë mbi principin e sundimit të ligjit. Ne të gjithë flasim për pavarësi gjyqësore, ne askund në rregulloret tona nuk kemi përgjigjen se çka është gjyqësorë i pavarur dhe prej kujt pavarësi. Ne nuk kemi instrumente për ta mbrojtur gjyqësorin nga pushtetet tjera. Në ligj duhet të sqarojmë se çka është gjyqësor i pavarur dhe me cilat instrumente duhet ta mbrojmë. Ndërkaq, gjykatësit vet duhet ta sigurojnë pavarësinë e tyre, ata duhet t’u thonë të tjerëve- pushtetit ‘mos me prekni, unë intervenime nuk pranoj’”, tha Arnaudovski, informon Portalb.

Ambasadorja gjermane në Maqedoni, Kristina Althauzer në diskutimin e sotëm tha se debate është në kohë të duhur, sepse bashkësia ndërkombëtare ka drejtuar sytë ka gjyqësori në Maqedoni.

“Është i domosdoshëm diskutimi i kësaj, punët nuk janë ashtu si duhet qenë. Fakti që prokurorja special do të duhet të punojë në raste të cilat diku tjetër do t’i kishte kryer Prokuroria Publike është dëshmi se gjyqësori nuk gëzon pavarësi”, tha Althauzer.

Sipas saj, Maqedonia gjyqësorin duhet ta vendojë në rrugë drejt Europës, sepse qytetarët meritojnë të mbrohen në mënyrë efikase dhe të ndjehen të sigurt se ligji do ti trajtojë të gjithë njësoj./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button