Rama, partitë shqiptare të bashkëpunojnë, duke ruajtur identitetin

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi në selinë qendrore të partisë në Tetovë takoi Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama.

Në takim është biseduar për çështjet aktuale politike, për proceset integruese, pozitën e rëndë në të cilën ndodhen shqiptarët e Maqedonisë si dhe tema të tjera.

Pas takimit Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi për mediat deklaroi: “Kisha nderin që të takojë Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, mikun tim dhe të gjithë shqiptarëve. Sigurisht se ne jemi shumë të interesuar për sukseset e Qeverisë së Shqipërisë për shkak se i  llogarisim se janë suksese të të gjithë shqiptarëve, por në të njëjtën kohë edhe Kryeministri është shumë i interesuar për sukseset e Maqedonisë, e në veçanti sukseset e shqiptarëve që jetojnë këtu dhe gjendjen e tyre”. 

Thaci tha se, ”përmenda se ne jemi tërësisht të pakënaqur si parti me shkatërrimin e plotë që i bëri Qeveria  Marrëveshjes së Ohrit dhe në të njëjtën kohë me një fenomen të rri, të prekshëm tash më, varfërimin  e shqiptarëve në mënyrë institucionale që bën Qeveria”.

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama për mediat deklaroi:
“Është kënaqësi sa herë që hy në këtë godinë edhe është emocion që duke ecur në korridorin për të ardhur këtu në këtë pikë të kontaktit me shtypin të shikosh përveç tjerave edhe fotografitë e Arbën Xhaferit, për të cilin ruaj një kujtim të jashtëzakonshëm dhe gjithmonë një admirim të jashtëzakonshëm.

Pas takimit Rama tha se, “dëgjova me shumë vëmendje të gjithë parashtrimin e mikut tim, kryetarit të partisë opozitare të shqiptarëve, e në ndërkohë mbetem tërësisht i interesuar dhe dëgjoj me vëmendje, me respekt edhe partinë qeverisëse të shqiptarëve duke qenë i bindur se sa më shumë këto parti të bashkëpunojnë, duke ruajtur identitetin, pozicionet dhe kundërshtinë e tyre, aq më mirë do të jetë për të gjithë”.

Rama shprehu knaqësinë që është në Tetovë duke thënë,  “për ne, për Qeverinë e Shqipërisë, për mua personalisht është gjithmonë kënaqësi që të jemi këtu dhe është privilegj që të jemi të mikpritur siç na mirëpresin miqtë dhe vëllezërit tanë në Tetovë”.

Lajme të ngjashme

Back to top button