Zekiri i zbulon arsyet e largimit nga Alsat, Neziri: Do ta padis

Pas shumë thashethemeve dhe informatave në lidhje me arsyet e largimit të Muhamed Zekirit nga Alsat M, ky i fundit e ka thyer heshtjen në një intervistë për revistën javore Fokus, ku ai nuk ka ngurruar të flasë për arsyet e largimit të tij. Sipas tij, pronari i Alsatit ka vlerësuar se kolegët nuk ndjehen të lirë ta bëjnë punën kur ai është prezent aty.

“Nuk shkoj në punë më, sepse pronari i Alsatit vlerëson se kolegët nuk ndjehen të lirë për ta kryer punën, kur unë jam aty e cila është shumë e çuditshme. Siç duket pronari ka frikë të më shohë në televizion, për këtë ai e di se përse, megjithatë unë e kam  thënë qëndrimin tim në facebook se unë do të jem ende gazetar”, ka thënë ish kryeredaktori i Alsat-M,  Zekiri për Fokus, transmeton Portalb.

“Në pjesën e “kurirëve”, unë pas publikimit të lajmit se më nuk do të jem pjesë e Alsatit, kam zhvilluar disa takime me ambasadorë të jashtëm të cilët më kanë treguar se krahu i djathtë i Çairit në BDI është meritorë për këtë dhe tanimë ata “fryhen” se meritë e tyre është që unë jam larguar nga Alsat. Kjo vetëm mi vërteton tezat e mia se ato kanë bërë lojëra në prapavijë dhe qeshin se unë më nuk do të jem atje, nuk do t’u jem ferrë në sy”, thotë Muhamed Zekiri, transmeton Portalb.

Ai ka thënë që më meritori nga krahu i djathtë i Çairit për “ekzekutimin” e tij, është ministri i Ekonomisë, gjegjësisht Bekim Neziri, i cili sipas tij, ka marrëdhënie të ngushta me pronarin e Alsatit.

Zekiri, nuk ka hezituar t’i shpalosë edhe emrat e disa ministrave që sipas tij, në Alsat, kanë trajtim të veçantë.

“Ata janë disa persona, ministra të BDI-së, mund të flasim hapur, ata janë Musa Xhaferi, Fatmir Besimi, Bekim Neziri, Nurhan Izairi, por edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.”

Neziri: Do ta padis

Këtë deklaratë, Neziri për Portalb e ka vlerësuar si spekulim, si dhe ka paralajmëruar padi për të.

“Fillimisht, nuk di gjë për atë se çfarë flet Zekiri, nuk dua as t’i komentoj më tej spekulimet e tilla, por me të do të shihemi në Gjykatë”, ka thënë për Portalb ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button