BE “nxjerr dhëmbët”, gjobë kush nuk pranon, 6500 € për çdo refugjat të refuzuar

Gjobë për çdo vend që refuzon të marrë emigrantë. Është kjo një nga alternativat që po diskutohet në qarqet e BE-së, si një masë për të zgjidhur krizën më të madhe të emigrantëve me të cilën po përballet aktualisht Europa.

Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, përfaqësuesit e përhershëm të qeverive të 28 vendeve anëtare, apo siç njihet ndryshe COREPER janë mbledhur në një takim për të diskutuar mbi masat që do ti propozojnë ministrave të brendshëm të cilët mblidhen nesër në Bruksel. Për çdo shtet anëtar që refuzon refugjatët, ambasadorët sugjerojnë dy alternativa: pagesën prej 6500 euro për çdo refugjat të refuzuar dhe mundësinë për të shtyrë procedurat e zhvendosjes së refugjatëve për 6 muaj, transmeton Shqiptarja.

Në fakt propozimi për të vendosur gjoba vendeve që nuk pranojë emigrantët u bë pak kohë më parë nga vetë shefi i Komisionit Europian Zhan Klod Junker, i cili ka kërkuar gjithashtu kuota detyruese për secilin vend anëtar, gjë për të cilën nuk u ra dot dakord në takimin e javës së kaluar të ministrave europianë. Junker kërkon që vendet anëtare të ndajnë përgjegjësinë e tyre për rialokimin e emigrantëve.

Por ndërkaq kundër kuotave janë një numër shtetesh si Polonia, Hungaria, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia dhe Letonia. Në propozimet që do të shtrohen për diskutim nesër në takimin e ministrave të brendshëm theksohet numri total prej 120 mijë refugjatësh që do të shpërndahen dhe numri që do të marrë çdo vend.

Lajme të ngjashme

Back to top button