Ndeshja me Serbinë, policia “u vë drynin” pallateve përreth stadiumit

Frika, për të mos thënë paranoja, ka arritur kulmin. Bë­het fjalë për sfidën midis Shqipërisë dhe Serbisë që do të luhet në 8 tetor në “Elbasan Arena”.

Rreziku më i madh, me sa duket, vjen nga pallatet pranë impiantit, ndaj të cilëve është nisur një aksion i gjerë nga organet shtetërore për të kontrolluar gjithçka. Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë banorëve të pallateve aty pranë, pohojnë se këto ditë policia ka marrë të dhënat për çdo hyrje dhe familje të pallatit. Përpos kë­ tyre informacioneve rreth banorëve, janë marrë të dhënat edhe për punët që bëjnë dhe me çfarë merren në jetën e përditshme.

Madje, nga burime të besueshme, mësohet se ditën e ndeshjes, përveç familjarëve, askush tjetër nuk mund të hyjë në pallat, qoftë edhe një i afërm i një prej familjeve që banojnë aty dhe me shumë mundësi ditën e ndeshjes do të bëhen kontrolle në banesa. Madje, ndonëse nuk konfirmohet ende zyrtarisht, kryefamiljarët nëpër banesat aty pranë do të japin garanci që nga shtëpitë e tyre nuk do të ketë asnjë incident, pasi në të kundërt do të mbahet përgjegjësi. Banorët Gazeta komunikoi me disa prej banorëve në këto pallate dhe u vu re qartë pakënaqësia e tyre te këto masa që priten të merren.

U duket disi e tepërt që rreth tyre ka kaq shumë dyshime, saqë ditën e ndeshjes do t’u duhet të qëndrojnë si në “burg”, për shkak të masave që thuhet se do të jenë shumë të rrepta për këtë ndeshje. Me të drejtë ata ngrenë pyetjen: Si do t’ia bëhet nëse ndonjë familjar yni do të na vizitojë, ta shtyjë për ditën tjetër? Apo në rast të ndonjë fatkeqësie? Për më tepër, banorët që i kanë ballkonet në krahun e stadiumit, nuk e dinë ende nëse do të lejohen të rrinë nëpër ballkonet dhe dritaret e tyre për të parë ndeshjen apo jo.

Nga pompozimi i madh që po u bëhet masave që do të merren për këtë sfidë, ata që deri dje ishin të privilegjuarit sa herë kishte një ndeshje, me sa duket në sfidën me Serbinë do të jenë më të diskriminuarit. Pritshmëritë Pritet një interesim rekord për këtë ndeshje nga ana e sportdashësve, ku përpos 12 mijë e 700 njerëzve që do të kenë fatin të jenë në stadium, mbi 30 mijë të tjerë pritet të pushtojnë Elbasanin. Dëshira për të përkrahur nga afër Kombëtaren për këtë ndeshje është maksimale, ndaj përveç mijëra njerëzve që do të jenë në Elbasan, priten edhe mijëra forca policie për të garantuar rendin dhe qetësinë, shkruan PanoramaSport.

Lajme të ngjashme

Back to top button