Bajrami: Jemi të etur për fitoren e parë në shtëpi

Pas pauzës disa javore të Ligës së Parë të Maqedonisë në Futboll shkaku i eliminatorëve të reprezentacionin e Maqedonisë për kualifikime në Euro 2016, këtë fundjavë kthehen aktivitetet e ekipeve për të vazhduar garën për pikë dhe pozitë sa më të mirë në tabelë.

Skuadra e FC Shkupi ka punuar me intensitet të shtuar gjatë kësaj kohë, pasi të dielën përballë do të  ketë një nga ekipet më të mira në vend, Rabotniçkin.

Skuadra e Shkupit gjatë kësaj kohë kishte zhvilluar edhe një ndeshje kontrolluese me KF Vëllazërimin (1:0), për të ruajtur formën e futbollistëve, por pikërisht në këtë përballje ka humbur sulmuesin Miran Maksuti, i cili në një duel kishte lënduar krahun dhe tani do të jetë një kohë të gjatë jashtë ekipit.

Por gjithsesi Shkupi ka një numër të madh të futbollistëve dhe të gjithë të përgatitur maksimalisht e presin duelin e të dielës.

“Jemi të vetëdijshëm se përballë do të kemi kundërshtarë të fortë dhe i respektojmë të arriturat e tyre gjatë fazës eliminatore për Europa League. Por ne që nga fillimi i sezonit kemi thënë se ndaj secilës skuadër do të futemi me shpirt luftarak dhe nuk mendojmë të dorëzohemi deri në minutat e fundit. Jemi të etur për fitoren e parë në shtëpi, andaj do të mundohemi që të japim më të mirën”, ka thënë Muharem Bajrami.

Stafi teknik me në krye trajnerin Zeirija Ramadani ka njoftuar se të gjithë futbollistët janë në dispozicion për ndeshjen e radhës, në përjashtim të Miran Maksutit. Ndeshja Shkupi – Rabotniçki luhet të dielën në ora 16:00, në stadiumin e Çairit.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button