Skandal, Cikalleshi përplaset me policinë pasi i rrahën vëllain

Ka qenë një mbrëmje për t’u harruar ajo e Sokol Cikalleshit dje. Sikur të mos mjaftonte shtylla që i mohoi golin dhe më pas humbja në minutën e fundit, dje sulmuesi pas ndeshjes është konfrontuar edhe me forca të policisë, njoftojnë mediat shqiptare.

Ngjarja

Afro 15 minuta pas ndeshjes, vëllai i sulmuesit të Kombëtares ka dashur të hyjë në ambientet e stadiumit, me qëllim që të takonte Sokolin.

Ai është prezantuar si vëllai i tij dhe ka thënë se donte të takonte Sokolin, por pa e kaluar kufirin e lejuar, ndërkohë që policët i kanë bërë me dije se nuk mund të hynte kurrsesi brenda ambienteve.

Pas një debati që përfundoi edhe në prekje me duar, vëllai i futbollistit është larguar me forcë prej aty. Pas pak minutash ka dalë nga stadiumi Cikalleshi, i cili është vënë në dijeni për incidentin e të vëllait me policët dhe ka nisur të pyesë uniformat i irrituar se me ç’të drejtë i kishin goditur familjarin e tij.

Jashtë rrethimit të stadiumit ka nisur një debat verbal i ashpër mes futbollistit dhe policëve. Ky i fundit u thoshte se ata mund të mjaftoheshin vetëm duke mos e lejuar të hynte brenda, por jo ta dhunonin, ndërkohë që policët i kërkuan sulmuesit kuqezi të largohej dhe të mos e zgjaste me këtë bisedë. Ka pasur edhe kontakte fizike mes lojtarit dhe forcave speciale, por pa kaluar në dhunë të mirëfilltë.

Deklarata

Në lidhje me ndeshjen dhe mallkimin e shtyllave që po e ndjek nga ndeshja në ndeshje, Cikalleshi deklaroi:

“Nuk e di se çfarë emri t’i vendos kësaj dhe shtyllave që po më ndjekin gjithmonë. Megjithatë, jam shumë krenar për Kombëtaren, pasi sot (dje) treguam se jemi një ekip që merremi në konsideratë nga të gjithë kundërshtarët. Kishim përballë një ekip mjaft cilësor dhe u mundëm vetëm në fund. Në momentin e parë kur godita në sfidën e sotme (dje) mendova se do të gjeja golin e parë, por ishte shtylla ajo që më ndali sërish. Kemi për të luajtur edhe dy ndeshje dhe unë jam shumë optimist se Shqipëria do të arrijë të shkojë në Francë me golin tim. ‘Zoti vonon, por nuk harron’”, deklaroi sulmuesi.

Lajme të ngjashme

Back to top button