Legjenda e basketbollit, Llazar Leçiq, është fituesi i çmimit shtetërorë “8 Shtatori” në Maqedoni

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, Agjencia për Rini dhe Sport ndau çmimin shtetëror “8 Shtatori” për veprën jetësore dhe katër çmime për realizimin në fushën e sportit në vitin 2015, raporton Anadolu Agency (AA).

Fitues i çmimit shtetëror “8 Shtatori” në fushën e sportit për vitin 2015 është legjenda e basketbollit në Maqedoni, Llazar Leçiq, ndërsa fitues të tjerë janë alpinisti Zdravko Dejanoviq, Dimçe Kiçevski, në karate i cili është dekoruar pas vdekjes, Ruzhdija Kallaç, boksier i suksesshëm, trajner dhe selektor, si dhe Ljupço Stojçevski, trajner, selektor dhe arbitër ndërkombëtar në kik boks.

Drejtori i Agjencisë për të rinj dhe sport, Marijan Spasovski gjatë ndarjes së mirënjohjes së lartë shtetërore në Parlamentin e Maqedonisë, tha se vendi po u jep mirënjohje atyre të cilët në mënyrën më të mirë të mundshme bëjnë promovimin e shtetit.

“Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë për të përkrahur sportin tani më po jep rezultatet e para. Qeveria ka bërë një hap historik me miratimin e shpërblimit për sportistët, me të cilin ata sigurojnë materialisht vetveten për tërë jetën e tyre, ndërsa kjo, në bazë të rezultatit kulmorë që kanë arritur”, tha Spasovski.

Ai shtoi se fotografia nuk është e tëra sepse ndonjëherë disa njerëz mbeten nën hije, edhe pse më së shumti kontribuojnë për sukseset sportive,  për çka siç tha, në kuadër të shpërblimit “8 Shtatori” do të vlerësohen edhe punonjësit sportiv, personeli mjekësorë si dhe gazetarët e sportit.

Ndërsa bartësit e shpërblimeve të sivjetme theksuan se shpërblimet e fituara paraqesin mirënjohje edhe për familjet dhe federatat e sportit nga vijnë.

“Ky çmim nuk është vetëm i imi, por është çmim për tërë Maqedoninë. Kjo është pjesë e punës 50 vjecare në të cilën janë përfshirë të gjithë, nga lojtarët deri tek tifozët. Dhashë shumë për Maqedoninë dhe ajo mu revanshua” tha fituesi i çmimit Llazar Leçiq.

Shpërblimi shtetërorë për sportin, “8 Shtatori” ka filluar të ndahet katër vite më parë, ndërsa synohet mirënjohja për njerëzit të cilët kanë promovuar Maqedoninë nëpërmjet sportit.

Kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë mori pjesë në akademinë solemne në Teatrin Popullor të Maqedonisë, ku dhe të pranishmëve iu drejtua me fjalim. Ai në fjalën e tij theksoi se formimi i shtetit nuk shkoi as lehtë dhe as shpejtë, por shkoi hap pas hapi dhe duke përdorur momente të caktuara historike për realizimin e hapit të ardhshëm.

“Kjo e arritur, kulminacioni i së cilës ishte me shpalljen e referendumit më 8 shtator në vitin 1991, ishte fundi i formimit të shtetit, pas shumë viteve luftë të gjeneratave dhe gjeneratave të paraardhësve tanë, me numër të madh të viktimave të rëna, jetëve të shkatërruara, arrestimeve dhe keqtrajtimeve”, deklaroi kryeministri Nikola Gruevski.

Lajme të ngjashme

Back to top button