RMV, 31 vjet pavarësi, partitë ende nuk janë të unifikuara për qëllimet strategjike

Që kur Maqedonia u pavarësua, tridhjetë e një vjet më parë, politikanët e të gjitha partive kryesore e thonë të njëjtën gjë – interesi strategjik i vendit është të jemi anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Këtë e kanë përsëritur të njëmbëdhjetë kryeministrat që i drejtonin qeveritë në shtetin e pavarur, shkruan Prizma.mk, transmeton Portalb.mk.

Sot, Maqedonia e Veriut  e ka kaluar më shumë se gjysmën e rrugës në përmbushjen e angazhimeve euroatlantike. Vendi është anëtar i NATO-s dhe e ka mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, por për fillimin e plotë të negociatave për anëtarësim duhet edhe një hap, përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë deri në konferencën e dytë ndërqeveritare.

BIRN pyeti dy ish-kryeministra, politikanë dhe gazetarë aktivë në atë periudhë – ku është Maqedonia tani, 31 vjet pas pavarësisë

Shumë prej tyre nuk e fshehin zhgënjimin me situatën ekonomike dhe ngecjen në integrimet evropiane.

Ljubço Georgievski është një nga personazhet kryesore që e kërkonin pavarësinë e Maqedonisë nga Jugosllavia në vitet 1990.

Ai, nga këndvështrimi i sotëm, thotë se para tridhjetë vitesh nuk e imagjinonin Maqedoninë kështu, por shton se “duhet të jemi të lumtur sepse 31 vjet të Maqedonisë si shtet nuk janë pak”.

“Ka gjenerata që nuk e mbajnë mend se sa vështirë ka qenë të krijohet Maqedonia, ata mendojnë se ka rënë nga dardha, por procesi i pavarësisë së Maqedonisë nga Jugosllavia ka qenë shumë i vështirë.

Si momente që e bënë atë periudhë të vështirë, ai i rendit politikën e Sllobodan Millosheviqit, embargon nga Greqia, konfliktin në Kosovë, krizën në Maqedoni…

“Por është pjesë e rrugës sonë për të treguar se kemi vullnetin për të pasur shtet dhe për të qenë të fortë”. Unë ende besoj se rruga jonë është integrimi evropian”.

Georgievski, i cili tani është lider i VMRO-Partia Popullore, është në koalicion me LSDM-në, kundërshtarët e tij më të ashpër në periudhën e pavarësisë.

LSDM dhe VMRO-DPMNE janë ende larg unitetit

Profesoresha Gordana Siljanovska-Davkova, nga ana tjetër, në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar ishte në një anë tjetër politike nga Georgievski, por edhe ajo ishte pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në krijimin e politikës së atëhershme.

Në qeverinë e LSDM-së, të udhëhequr nga Branko Cërvenkovski, profesoresha ishte ministre pa portofol. Ajo tani është deputete e pavarur e zgjedhur nga lista e VMRO-DPMNE, partia e parë e Georgievskit.

E pyetur se ku është Maqedonia e Veriut 31 vjet më vonë, SiljanovskaDavkova thotë- arritëm deri në Sofje, në vend se në Kopenhagë, duke aluduar në kushtet që Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë për të vazhduar në rrugën evropiane.

Ajo nuk i kursen kritikat për gjendjen aktuale në vend, duke thënë se është partiake dhe oligarkike, e infektuar me klientelizëm dhe korrupsion dhe se qeveria është e “nënshtruar ndaj ndërkombëtarëve dhe arrogante ndaj qytetarëve”.

“Kemi arritur në një idiokraci”. Krahasoni njerëzit e parë të shtetit me ata të viteve 1990 dhe do të shihni nëse po shkojmë përpara apo prapa! Jemi një histori tragjike me qeverinë më të lumtur!”

Vllado Buçkovski mori post shtetëror më vonë se Georgievski dhe Siljanovska-Davkova. Ai ishte ministër i Mbrojtjes gjatë krizës në vitin 2001, në qeverinë e Georgievskit, në të cilën ishte edhe LSDM-ja, në përpjekje për të tejkaluar konfliktin e asaj kohe. Më vonë, nga viti 2004 deri në vitin 2006, u bë kryeministër.

Perceptimi i tij sot është se “Maqedonia duhet të krenohet me të arriturat e saj në 31 vitet e fundit.” Çmimi që paguam për përmbushjen e qëllimeve strategjike, anëtarësimin në NATO dhe BE ishte tepër i lartë, thotë Buçkovski, duke shtuar, “por ia vlejti”.

Ish-kryeministri mendon se nuk janë nxjerrë mësime nga gabimet e deritanishme, duke përmendur në këtë kategori miratimin e Kushtetutës së parë në vitin 1991, zgjedhjen e modelit të privatizimit, parandalimin e konfliktit ushtarak të vitit 2001 dhe rrezikimin e identitetit tonë me antikuizimin.

“Fatkeqësisht, sjellja e udhëheqësish së VMRO-DPMNE-së sot dhe qëndrimi ndaj domosdoshmërisë për ndryshime të Kushtetutës më bën të konstatoj se problemi më i madh i Maqedonisë së sotme të Veriut është ende përçarja e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për realizimin e interesave strategjike”, thotë Buçkovski.

Mungon guximi

Ndërkohë, Teuta Arifi ishte aktive edhe në vitet e para pas pavarësisë, si profesoreshë, kolumniste, udhëheqëse, këshilltare në Qeveri dhe në institucione të tjera. Ajo mori post politik një vit pas Buçkovskit, në vitin 2002, kur u bë deputete në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nga radhët e BDI-së. Ajo i vlerëson këto 31 vite si të rëndësishme për vendin.

Duke analizuar nga prizmi i dy bashkësive më të mëdha etnike, maqedonasve dhe shqiptarëve, Arifi thekson se pritshmëritë e tyre në vitin 1991 ishin të ndryshme, gjegjësisht për të parën, pavarësia ishte shans historik për të pasur një shtet të pavarur, ndërsa për shqiptarët, i rëndësishëm ishte rregullimi dhe karakteri i shtetit.

Ajo beson se “me kalimin e tre dekadave, të gjithë jemi pjekur për të kuptuar më qartë se situata reale-politike ndërkombëtare nuk është gjithmonë në favorin tonë, si vend dhe si rajon”.

“Prandaj, fakti që në këto kohë krizash të rënda globale, gjëja më e rëndësishme për të gjithë ne si qytetarë është fakti që nuk jemi të vetëm në përballimin e këtyre krizave dhe sigurisht që kemi ende shumë për të bërë në shtëpi, të rrisim standardet tona politike dhe të tjera. Kjo varet nga ne”.

Gazetari Ljupço Popovski, i cili me dekada e ndjek skenën politike dhe shoqërore në Maqedoni, thotë se akuzat e ndërsjella të partive filluan qysh në fillim të viteve 1990, ndërsa kanë vazhduar deri më sot me akuza dhe përpjekje për të vërtetuar se mund të ishte bërë më mirë dhe më shumë në vitet e pavarura.

“Sigurisht që ka të vërtetë në këtë, por shumë gjëra po harrohen që e bënë rrugën e Maqedonisë jashtëzakonisht të vështirë”.

Përshtypja e Popovskit është se tani thjesht “guximi dhe vizioni janë në rënie të madhe, ndaj edhe po bëhet e pahijshme të flitet për to”.

“Më në fund duhen lënë mënjanë llogaritë se çfarë mund të ishte bërë në të kaluarën, si dhe frika se dikush vazhdimisht mendon keq për shtetin dhe popullin. Lëvizja drejt së ardhmes është çelësi, por e ardhmja shoqërohet gjithmonë me pasiguri dhe guxim”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button