31 vjetori i pavarësisë në RMV, krerët e shtetit dërguan mesazhe uniteti

Republika e Maqedonisë së Veriut sot shënon 31 vjetorin si shtet i pavarur. Përmes referendumit të 8 shtatorit të vitit 1991 vendi u shkëput nga Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, qytetarët vendosën për shet të pavarur dhe sovran. Sot, vendi është anëtar i NATO-s dhe  pas shumë sfidave këtë vit filloi negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, shkruan Portalb.mk.

Me një sërë ceremonish, nën sloganin “Të bashkuar në liri”, sot Republika e Maqedonisë së Veriut përkujton Ditën e Pavarësisë. Siç informojnë nga Qeveria, kremtimi i kësaj feste madhështore të organizuar nga Qeveria filloi me vendosjen e kurorave me lule të freskëta në vendpushimet e përjetshme të ish-presidentëve të shtetit, Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski, në varrezat e qytetit “Butel”.

Delegacioni qeveritar i cili nderoi presidentët që lanë gjurmë të në ndërtimin e shtetit, kryesohej nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, ku ishin ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski, si dhe zëvendës-ministri i Drejtësisë Agim Nuhiu.

Në vendpushimet e përjetshme të ish-presidentëve Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski, lule të freskëta vendosën edhe delegacionet e kabineteve të kryetarit të shtetit, Kuvendit, pastaj Bashkimit të Luftëtarëve, trupit diplomatik si dhe përfaqësues të partive politike.

Festa e Ditës së Pavarësisë – 8 Shtatori do të vazhdojë me “Ditën e Hapur për Qytetarët” dhe një program të pasur kulturor e artistik në Parkun e Qytetit, kurse festa qendrore do të mbahet sonte në parkun “Ibni Pajko” nga ora 19:30.

Urimet e krerëve të shtetit

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve me rastin e 8 shtatorit theksoi se uniteti është parakushti kryesor i suksesit dhe për të qenë të suksesshëm në konkurrencën midis kombeve, duhet të ripërtërijmë të përbashkëtat dhe të rikthejmë vetëdijen jo për interes personal, por për të mirën e përbashkët.

“Sado i rëndësishëm të jetë shtytësi i proceseve shoqërore, vetëm interesi personal nuk kënaqet për të ndërtuar një shoqëri me një ndjenjë të zhvilluar të interesit kombëtar për të mirën e përbashkët. Prandaj, shtytësit e vërtetë të komunitetit duhet të kërkohen tek ata që nuk janë të motivuar nga interesa të ngushta, por nga qëllime më të larta”, theksoi Pendarovski.

Me rastin e Ditës së Pavarësisë Pendarovski sot në një ceremoni solemne i ka dekoruar sportistët maqedonas Olivera Nakovska-Bikova, Branimir Jovanovski, Shaban Trstena dhe Dejan Georgievski me Urdhrin “8 Shtatori”.

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka dërguar një mesazh urimi për të gjithë qytetarët e vendit, me mesazhin se të bashkuar në liri duhet të vazhdojmë perspektivat tona, sepse historia na mëson se për çdo hap të rëndësishëm përpara nevojitet bashkim.

“Integrimet janë beteja e brezit tonë. Dhe kështu  bëj thirrje të Bashkuar në Liri  ti vazhdojmë perspektivat.Historia mëson se për  çdo hap të  rëndësishëm përpara është e nevojshme  bashkimi. Qytetarët  Maqedonas, Shqiptarë, Turq, Vlleh, Serb, Boshnjak dhe Romë dhe të gjithë të tjerëve, në referendumin historik të 8 shtatorit 1991, në mënyrë masive, të bashkuar, pavarësisht dallimeve etnike dhe politike, vendosën të jetojnë në një shtet i pavarur. Bashkimi ynë mes 27 anëtarëve të Bashkimit Evropian është një perspektivë reale dhe e nevojshme për avancimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, sipas parimeve dhe vlerave evropiane”, deklaroi Kovaçevski.

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi deklaroi se para tridhjetenjë  Kushtetuta – akti më i rëndësishëm ligjvënës ishte udhërrëfyesi ynë i cili e determinon rrugën nëpër të cilën do të lëvizim për të siguruar përparimin, zhvillimin dhe sigurinë e shtetit.

“Në të janë përcaktuar edhe qëllimet strategjike rreth të cilave jemi bashkuar gjithmonë dhe sinqerisht besoj se ashtu do të jetë edhe kësaj radhe. Procesi i euro-integrimit nuk ka alternativë, nuk ka zëvendësim dhe na mbetet edhe hapi i fundit, për shkak se kthim prapa – nuk ka.  Mos e gënjejmë veten, na pret një periudhë e vështirë në çdo aspekt. Jostabiliteti politik dhe tensionimi është gjëja që na duhet më së paku për momentin në shtet. Të demonstrojmë pjekuri, përgjegjësi, ndërgjegje dhe vetëdije të lartë dhe ta vëmë interesin e qytetarëve dhe shtetit mbi interesat personale dhe partiake  Askush nuk guxon të luajë me perspektivën e sigurt të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha mes tjerash Xhaferi.

Mesazhet e krerëve të partive politike

Kreu i VMRO-DPMNE-së përmes urimit të tij tha se 31 vjet më parë, populli kishte entuziazëm, energji dhe shpresë. Por sipas tij, pas 31 vitesh dhe një numri të madh dështimesh, sfidash dhe dështimesh, jemi sërish në udhëkryq dhe sfida të reja.

“Këtë herë me shumë më pak shpresë dhe entuziazëm për shkak të përvojës së keqe ndër vite. Kemi një vend të mbërthyer në përmbushjen e qëllimeve strategjike, duke pritur me dekada për ndryshime, mungesë reformash, standard të dobët, nivel të lartë korrupsioni dhe akoma më shumë varfëri. Qytetarët ndajnë të njëjtat vuajtje, të njëjtat halle. Ashtu siç fitoi ideja e një Maqedonie të pavarur, sovrane dhe të pavarur më 8 shtator, Maqedonia do të fitojë referendumin e ardhshëm”, tha Mickoski.

Uruan ndërkombëtarët

“Bëni Retweet për t’u bashkuar me ne për të festuar Ditën e pavarësisë të aleatit tonë, Maqedonisë së Veriut”, shkroi NATO në Twitter.

Sekretari i Shtetit Anthony Blinken theksoi se në vitet në vijim, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin aleatin e tyre, Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin e saj evropian.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë jush ndërsa bëni hapa të mëdhenj për të rritur prosperitetin e të gjithë qytetarëve tuaj, për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe për të forcuar institucionet tuaja demokratike.” Ju uroj gjithë të mirat në këtë ditë të veçantë”, tha Blinken.

“Të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së, dërgojmë urimet tona më të mira në 31-vjetorin e Pavarësisë suaj. Gezuar Diten e pavarësisë”, uruan nga Ambasada e SHBA-ve në Shkup.

“Mbretëria e Bashkuar mbetet partner dhe mbështetës i fortë i proceseve kyçe të reformave dhe aspiratave euroatlantike të vendi. Gëzuar 8 Shtatorin, Ditën e Pavarësisë”, ishte urimi i Ambasadës së Britanisë së Madhe në Shkup.

“Urime të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut 31 vjetorin e Pavarësisë! Sot, ne kujtojmë shumë arritje të së kaluarës dhe presim së bashku me padurim të ardhmen tonë të përbashkët”, shkroi euro-ambasadori David Geer.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për vendin, Ilhan Kyçyk, në urimin e tij tha se beson fuqishëm në suksesin e Maqedonisë së Veriut dhe e di se uniteti dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë çelësi i së ardhmes të përbashkët në Evropë

“Gjatë tre dekadave të fundit, Maqedonia e Veriut ka bërë një rrugë të gjatë dhe ju duhet të jeni krenarë për atë që ka arritur në aspektin e demokracisë, lirisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Ju jeni një anëtar i vlefshëm i NATO-s dhe me meritë keni filluar negociatat për anëtarësim në BE. Ky është një sukses i madh, jini krenarë për arritjet tuaja dhe vazhdoni të përpiqeni për të reja. Gezuar Diten e pavaresise!”, theksoi Kyçyk.

Uroi edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë.

“Greqia i uron dhe shpreh urimet e saj më të mira popullit dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut sepse sot festojnë Ditën e Pavarësisë”, shkroi MPJ e Greqisë.

Pak histori

Maqedonia e Veriut, pavarësinë e saj e fitoi përmes një referendumi popullor, i cili e shpalli atë shtet të pavarur dhe sovran.

Sipas vlerësimeve shtetërore të asaj kohe, mbi 95 për qind të qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”.

Referendumit i parapriu Deklarata për Pavarësi, të cilën Parlamenti i parë i Maqedonisë shumë-partiake e miratoi më 25 janar të vitit 1991. Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Pas referendumit të 8 shtatorit 1991, Kiro Gligorov u zgjodh presidenti i parë.

Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. Dhjetë vite më vonë Kushtetuta u plotësua pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina.

Shteti u pavarësua monetarisht me vendosjen e denarit më 26 prill 1992, e më pas formoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht. Më pas vendi formoi edhe armatën, dita e së cilës shënohet më 18 gusht.

Subjektiviteti juridiko-ndërkombëtar i shtetit përfundimisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB), vendi u pranua si anëtarja e 181-të e plotfuqishme e organizatës botërore.

Por, për shkak të kundërshtimit dhe presionit nga ana e Greqisë, e cila nuk e pranonte emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, anëtarësimi në OKB u bë nën referencën e përkohshme: Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Megjithatë, kjo çështje u zgjodh me Marrëveshjen e Prespës, nën sponsorizim të OKB-së e cila u nënshkrua në qershor të vitit 2018 në anën greke të Liqenit të Prespës. Vendi ndryshoi emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në vitin 2020, RMV-ja pas shumë pengesave zyrtarisht u bë edhe anëtari i 30-të I NATOS.

Me 19 korrik të këtij viti, pas shumë zvarritjeve dhe bllokadave, vendi arriti të fillojë negociatat e aderimit me Bashkimin Evropian, me mbajtjen e konferencës së parë ndër-qeveritare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button