U mbyll ambasada iraniane në Tiranë, para se të largoheshin diplomatët u dogjën dokumente
Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike nga ana e Shqipërisë me Iranin pas sulmeve kibernetike, sot u pasua me mbylljen e ambasadës së kësaj të fundit në Tiranë. Diplomatët para se të largoheshin dogjën dokumente, transmeton Portalb.mk.
Punonjësit dhe personeli diplomatik i ambasadës sot lëshuan hapësirat e objektit të ambasadës, e cila u mbyll. Diplomatët e dëbuar u nisën për në aeroport për të lëshuar vendin.
Ambasada më pas u rrethua me shiritin policor, të cilët vazhduan me kontrollin brenda objektit.
Ambasada e Iranit dje kishte kërkuar për të pasur më shumë kohë në dispozicion për t’u larguar, por një gjë e tillë u refuzua nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.
Raportohet se gjatë natës së djeshme, në ambientet e ambasadës janë djegur dokumente të cilat, personeli diplomatik nuk ka mundur t’i merr me vete.
Ky është rasti i parë kur një shtet shkëput marrëdhëniet diplomatike me një shtet tjetër për shkak të sulmeve kibernetike.
Gjithashtu, për herë të parë një shtet i NATO-s fajësoi Iranin zyrtarisht për sulm kibernetik.
Shqipëria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, si kundërpërgjigje ndaj sulmit kibernetik në infrastrukturën digjitale të Qeverisë së Shqipërisë, sulm i ndodhur në muajin korrik të këtij viti.
Edi Rama dje njoftoi se u ka dhënë afat prej 24 orësh të gjithë diplomatëve iranianë që të largohen nga shteti.
Ministria e Jashtme e Iranit mohoi se shteti i tyre ka qenë prapa ndonjë sulmi kibernetik ndaj faqeve të Qeverisë së Shqipërisë, dhe vendimin e Ramës për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike e kanë cilësuar si të pamatur dhe të nxituar.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Iranit u përkeqësuan pasi Shqipëria me kërkesë të Shteteve të Bashkuara pranoi rreth tre mijë pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) në 2013. Irani i konsideron pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë.