8 – Shtatori dhe Pavarësia!
Maqedonia mbi dy decenie feston pavarësinë. Shqiptarët atë kohë deshën që ky shtet të pavarësohet, por pavarësia të ngërthente në aktet juridiko-politike barazinë e plotë të tyre. Barazia nuk ndodhi, shqiptarët këtu nga sistemi i mëparshëm vuanin nga implementimi i asaj që shkruante në kushtetutën e vitit 1974, kurse sot vuajnë edhe nga ajo që shkruan në kushtetutë dhe ligje, por edhe nga implementimi i atyre pak segmenteve të të drejtave të definuara.
Pse elitat politike maqedonase veprojnë në mënyrë nënçmuese me shqiptarët? Sepse ata e kanë identifikuar me saktësi vasalitetin e politikanëve shqiptarë duke zbatuar metoda të ndryshme. Njëra prej metodave të kultivimit të vasalitetit te politikanët shqiptarë e zbatuar nga strukturat e taborit maqedonas, është korruptimi i tyre në forma të ndryshme.
Përfaqësuesit shqiptarë, nuk e votuan atë botë miratimin e kushtetutës së vendit, për shkak të pabarazisë në disa nene të saj, përkatësisht jodefinimi i statusit të tyre. Përfaqësuesit e shqiptarëve në vitin 1992 e organizuan, kurse shqiptarët e mbështetën referendumin për autonomi politiko-territoriale. Kjo ishte përgjigjia politike e referendumit të 8 – Shtatorit, për pavarësinë e Maqedonisë, e cila përmbante një pyetje të mjegulluar.
Shqiptarë të dashur, ne akoma nuk e kemi arritur barazinë juridiko-politike në këtë shtet, mbase edhe siç dihet, barazia është pika fillestare e të drejtave të njeriut. Edhe pas këtyre decenieve, shqiptarët në Maqedoni të organizuar në parti politike, dhe asociacione tjera të shoqërisë civile, në programet e tyre synojnë barazinë dhe rregullimin e statusit të tyre, por në forma të ndruajtura. Ata synojnë rregullimin e statusit, përsëri me ndryshimin e kushtetutës, ca mendojnë për një kontratë historike me maqedonasit, ca mendojnë për ridefinimin e shtetit, ca mendojnë për federalizmin, por ka që mendojnë edhe për shpërbërjen e saj. Të gjitha këto, edhe pas 2001-it, pohojnë se synimet e tyre duhet arritur me forma politike dhe demokratike.
Por, a është e mundur që të ndodhë kjo me politikanë të korruptuar me përmasa qiellore?
Madje, a e kanë realizuar shqiptarët në Maqedoni, pakënaqësinë e tyre me padëgjueshmërinë qytetare? Jo. Padëgjueshmëria qytetare, është instrumenti më gardist për gjunjëzimin e cilës do qeveri, për të arritur barazinë e statusit në shtete, ose të drejtën për vetëvendosje për ridefinime tjera politike.
Politika është shkencë, ajo është edhe mekanizëm për arritjen e barazisë dhe të drejtave tjera të cilat evoluojnë në mënyrë të vazhdueshme, sepse asnjë bllok politik në botë dhe më së paku ky maqedonas, nuk është i krijuar për të dhënë apo për të falur barazi dhe të drejta për shqiptarët, por ata vetë duhet t’i marrin dhe ta zbatojnë barazinë dhe të drejtat, sepse, thamë që këto janë legjitime, mbase, barazia është edhe pika fillestare e drejtësisë.
Por, shqiptarët duhet të binden se nuk mund të arrihet barazia e statusit tonë, me përfaqësues të korruptuar me përmasa qiellore, të zbatuara në ortakëri me partnerët maqedonas të koalicionit .
Mbase ndjehem i pabarabartë, s’kam asnjë motiv për ta festuar e shënuar këtë datë, por këtë postim dua ta përfundoj kështu: Korrupsioni është kancer për një shoqëri, ashtu siç kanceri metastazon dhe shkatërron organizmin e njeriut, korrupsioni metastazon dhe shkatërron një shoqëri, si në aspektin ekonomik, politik e social.
Prandaj, politikanët e korruptuar nuk çajnë kokën për barazinë e atyre që i përfaqësojnë.