Ndryshon juria në “Dance with me”
Edicioni i dytë i garës së kërcimit “Dance with me”, që do të nisë së shpejti në Tv Klan, këtë vit do të ketë ndryshime edhe në panelin e jurisë.
Kryetari i jurisë i vitit të kaluar, balerini i njohur Ilir Avdyli, nuk do jetë pjesë e këtij edicioni dhe në vend të tij do të ulet një tjetër koreograf i njohur, një nga figurat më guximtare të koreografisë në Shqipëri.
Albi Nako, me trupën e tij “Albi Nako Dance”, për 15 vite me radhë është pjesë e Televizionit Klan, ku edhe drejton trupën profesioniste të balerinëve.
Ndërkohë, për të dytin vit radhazi do të jenë pjesë e panelit të jurisë Robert Aliaj dhe Valbona Selimllari.
I pari me batutat dhe stilin origjinal, ndërsa e dyta me ëmbëlsinë që e karakterizon, do të jenë edhe këtë herë një kombinim mjaft i mirë për ta mbajtur publikun para ekranit çdo të hënë në mbrëmje.
“Dance with me”, një nga spektaklet më të njohura dhe më të ndjekura në botë, do të risjellë për të dytën herë një show të vërtetë argëtimi edhe në Shqipëri. Transmetimi do të nisë në Teatrin e Televizionit Klan më 21 shtator, nën prezantimin e Alketa Vejsiut dhe regji të Vera Grabockës.