USHT-ja, me laborator për kontrollimin e materialeve ndërtimore

Universiteti Shtetëror i Tetovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës sot para sektorit privat dhe studentëve prezantoi laboratorin për shqyrtimin dhe kontrollimin e materialeve ndërtimore i cili është hapur në kuadër të Fakultetit të shkencave të zbatuara.

Rektori i këtij universiteti, Vullnet Ameti u shpreh se laboratori i shërben njërës prej disiplinave më të rëndësishme që zhvillohet në USHT.


“Ky laborator është në shërbim të Fakultetit të shkencave të Zbatuara ku studentët tanë i marrin njohuritë bazë në fushën e ndërtimtarisë dhe ofron kushte optimale  për kontrollin e të gjitha materialeve ndërtimore” tha Ameti.

“Për të udhëhequr një proces të rregullt mësimor-shkencor, në aspektin teorik dhe praktik, ne në Universitetin tonë kemi ngritur edhe laboratorë të tjerë,  të cilët janë pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme laboratorike, si për zhvillimin normal të praktikave laboratorike, ashtu dhe për kërkime shkencore. Laboratori që sot e prezantojmë, i shërben  njërës prej disiplinave më të rëndësishme që zhvillon Fakulteti i Shkencave të Zbatuara, ku studentët tanë  i marrin njohuritë bazë në fushën e ndërtimtarisë, dhe ofron kushte optimale për  kontrollimin e të gjitha llojeve të materialeve ndërtimore”, tha Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, duke shtuar se ky Laborator kryen testimin e agregatëve për prodhimin e asfaltit, betonit, betonit të lëngshëm dhe të ngurtësuar, si dhe i përcakton  karakteristikat fizike–mekanike të çimentos.

E gjithë aparatura e Laboratorit të prezantuar gjatë ditës së sotme është e prodhuar në bazë të standardeve më të larta evropiane, nga brendi i njohur italian KONTROLLS, dhe si i tillë është në gjendje t’i mbulojë kërkesat për testim për të gjitha kompanitë e ndërtimit që veprojnë në rajonin e Maqedonisë Perëndimore, tha më tej Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, duke potencuar faktin se nëpërmjet kësaj qendre laboratorike, Universiteti do ta forcojë edhe më shumë bashkëpunimin me këtë sektor tepër të rëndësishëm për ekonominë e qytetarëve, dhe do të angazhohemi që në të ardhmen të krijojmë marrëdhënie bashkëpunimi edhe me sektorë të tjerë shtetërorë dhe privatë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button