Pique admiron Ronaldon: Eshtë makineri

Të shtunën e gjithë vëmendja e tifozëve të futbollit, por jo vetëm, do të jetë e përqëndruar në Spanjë dhe konkretisht në Camp Nou, aty ku do të luhet klasikja e parë e sezonit mes dy rivalëve të përjetshëm, Barcelonës dhe Realit të Madridit.

Messi përballë Ronaldos, të dy të konsideruar si lojtarët më të mirë në botë jo vetëm të momentit, pasi emrat e tyre renditen tashmë mes legjendave që kanë bërë historinë. Në prag të El Clasicos, mbrojtësi i Barçës, Gerard Pique shprehet se rivaliteti me argjentinasin e ka përmirësuar akoma edhe më shumë portugezin e Los Blancos.

Deri tani në aspektin individual, pleshti i blaugranave veç trofeve të shumtë me klubin e ka lënë pas yllin e madrilenëve, duke fituar 4 Topa të Artë radhazi dhe me shumë gjasa do të jenë sërish bashkë në treshen e finalistëve për cmimin e radhës. Pique, i cili është në dyshim për klasiken për shkak dëmtimi, e njeh mirë Ronaldon, pasi të dy kanë luajtur te Manchester United para se të transferohej te Barça në 2008-ën. Ja cfarë thotë ai për portugezin në një intervistë të shkurtër për Kicker.

“Pavarësisht punës së madhe në stërvitje, mendoj se rivaliteti me Leo Messin e ka bërë Ronaldon një lojtar edhe më të mirë. Unë gjithsesi e kam admiruar gjithmonë sepse Ronaldo punon shumë dhe pa pushim, është një makineri”.

Për momentin, si Messi ashtu edhe Ronaldo, pas 9 javëve të para të kampionatit spanjoll kanë shënuar nga 8 gola secili.

Lajme të ngjashme

Back to top button