“Plagjiatura në mjekësi, kancer në mushkëri”, FNA: Asgjë nuk është ndërmarrë për profesorët e UT-së të akuzuar për plagjiaturë

Aktivistë të Forumit për Ndryshime në Arsim (FNA) zgjodhën që në prag të ditës Ndërkombëtare të Pronës Intelektuale t’i sjellin në kujtesë Universitetit të Tetovës që kanë kaluar më shumë se 2 vjet nga kur shtatë profesorë të Fakultetit të Mjekësisë u akuzuan për plagjiaturë – dhe deri tani, asnjë masë nuk është ndërmarrë në drejtim të zbardhjes së këtij rasti.

“Me këtë, konsiderojmë që kjo ditë duhet shënuar si ditë zie për Arsimin e vendit dhe jo feste”, thonë nga FNA.

Ata theksojnë se sipas të gjitha definicioneve, plagjiatura është vjedhje ndërsa kryerësit e kësaj vepre janë hajna, hajna të punës, përkushtimit dhe pronës intelektuale të dikujt. Kjo përbën një ndër shkeljet më të rënda akademike.

“Përkundër kësaj, edhe pse praktikat e shteteve shumë më të zhvilluara se ne tregojnë që hajnat akademik janë përzënë nga jeta e tyre publike dhe u janë hequr gradat shkencore të përfituara nga plagjiatura, UT-ja dhe institucionet tjera kompetente në vend, nuk e panë të rrugës as të pezullojnë marrëdhënien e punës me këta të akuzuar deri sa rasti të merrte epilog ndërsa gjithë këtë, vendosën ta lënë në harresë”, thonë nga FNA.

Siç thonë nga FNA, meqë Universiteti i Tetovës ka lejuar që për plot dy vite të jetojë me njollën e akuzave për vjedhje akademike, duke mos bërë asgjë në drejtim të heqjes së kësaj njolle – apo, heqjes së këtyre “profesorëve” që njollosin këtë institucion.

“Kërkojmë nga institucionet shtetërore kompetente të ndërmarrin masa konkret dhe të mos lejojnë që arsyetimi i „autonomisë akademike të universitetit” të shërbejë për të amnistuar hajdutë akademik. Përveç kësaj, ky universitet nuk është as i pari as i fundit që ka profesorë me punime shkencore të vjedhura – krejt kjo, për shkak të fillimisht mos pasjes së një sistemi të mirëfilltë për detektimin e plagjiaturës si dhe mungesës së një sistemi të mbrojtjes së pronës intelektuale, nga institucionet kompetente të vendit. Andaj, lirshëm mund të thuhet se Maqedonia e Veriut është një parajsë për hajnat akademik”, shtojnë nga FNA.

Rikujtojmë që për plagjiatura të mundshme u akuzuan shtatë profesorë të Fakultetit të Mjekësisë. Deri në zbardhjen përfundimtare të këtij rasti dhe vendosjes së një sistemi efikas anti-plagjiaturë, Ditën Ndërkombëtare të Pronës Intelektuale organizata jonë do ta shënojë si ditë zie dhe vaji për Arsimin e vendit.

Ndryshe revista “Veritas” në mars të vitit 2021 publikoi rastin e plagjiaturave të profesorëve nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, por ky rast ende nuk po merr epilog. Inspektorati i Arsimit, Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës thonë se nuk janë kompetent për të vërtetuar nëse profesorët kanë bërë plagjiat për punimet shkencore. Rasti është dashur që të paraqitet në Polici ose Prokurori, por kjo deri më tani nuk është bërë. Të gjitha rrugët çojnë në Universitetin e Tetovës, por nga atje vazhdojnë të heshtin për këtë rast

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button