Studentët e USHT-së fituan vendet e para në ekspozitën ,,Miniatura”
Studentët e Fakultetit të Arteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës morën pjesë në Sallonin Pranveror Rinor, ku u organizua ekspozita me temë ,,Miniatura”. Kjo ekspozitë organizohet nga Galeria Nacionale e Maqedonisë dhe është me karakter garues. Studentët e Fakultetit të Arteve të USHT-së morën pjesë me punimet e tyre dhe arritën të fitojnë tre vendet e para në kategori të ndryshme.
Në ekspozitën ,,Miniatura” vendin e parë në vizatim e fitoi studentja e Fakultetit të Arteve të USHT-së, Egzona Ibrahimi. Sipas saj, ky çmim ka një rëndësi të veçantë sepse vizatimi i saj jo vetëm që tërhoqi vëmendjen e jurisë por edhe të publikut.
Studenti Muhamed Veseli në këtë ekspozitë arriti që ta fitojë vendin e dytë në pikturë. Ai u shpreh mjaftë i kënaqur, pasi si artist i ri, me shumë krenari e përfaqësoi Universitetin Shtetëror të Tetovës, në këtë aktivitet ku konkurrenca ishte jashtëzakonisht e madhe.
Ndërsa në kategorinë e grafikës, studenti i Fakultetit të Arteve të USHT-së, Astrit Rexhepi e fitoi vendin e dytë. Me këtë rast ai deklaroi se, falë kontributit të profesorëve të Fakultetit të Arteve të USHT-së dhe përkushtimit të tij në punë ka arritur deri te ky sukses.
Në këtë ekspozitë, nga Fakulteti i Arteve i Universitetit Shtetëror të Tetovës morën pjesë edhe studentët: Hatije Veliu, Lulzim Sinani, Berat Luma, Ebru Selman, Haris Rexhepi, dhe Fisnik Jakupi.