PO MBETE JESHIL TË HANË DHITË

Nëse ke guxuar ta shprehish publikisht mendimin mbi proceset kulturore e letrare, pavarësisht se je brenda fushës të cilës i kë bërë hyzmet një jetë të tërë, hap çadrën dhe mbro veten nga këlbazat e helmta të shkarrashkruesit të pafisëm, që ha lukthin personal shkaku i sukseseve tua.

Ta bësh këtë patjetër, sepse shkarrashkruesi do të të shajë gjithsesi, pa i dhënë asnjë shkas, madje me seri shkarravinash kulara-kulara.

Shkarrashkruesi është i gjorë dhe vuan nga sindromi i tollosumit – makthit që ia ngordh në këste shpirtin prej kazme. Është gjynaf, se s’ia varr kush… Është sui generis – njëkohësisht: autor kotësishë, në personalitetin e papersonalitet të të cilit janë shkrirë 100% lexuesi/ receptuesi inekzistent dhe personazhi i tij prej kotsihaneje – vetvetja.

Shkarrashkruesi i urrenë për vdekje shkrimtarët që nuk i presin pyjet për bagla përlakësh, mësuesit që kanë lënë prapa tyre kariera të panjollë, krijuesit që e dinë se mbi çdo kritikë të veprës së dikujt qëndron si Zot respekti ndaj dinjitetit të autorit, ata që druhen mjaftueshëm për t’mos u batakëzuar përjermshëm gjirizeve dhe për t’mos përfolur rrugaçërisht madje dhe nënat e të urrejturve, të cilat ai i pandeh për krijesa që pjellin viça!?

I guximshëm shkarrashkruesi, ndaj po ngulet hu më hu.

Ai hungërrinë harbueshëm dhe shanë krijuesit si të ishin sende në pronësinë e ekselencës së tij. Ai përçmon emra dhe vepra të dëshmuara, që realisht nuk ka asnjë shancë t’i minimizojë e t’i fshijë hartash ashtu siç ia thotë mendja çatrafile, ndoshta dhe punëdhënësi. Ai ofendon edhe personalitete letrare, të cilët nuk i njeh fare, sepse, duke qenë mediokër, vetëm “vepra” mediokre lexon.

Ç’të bësh? Shqarthi dëshiron të dalë disi nga hurdha, ta kompensojë shkrimtarin duke pështyrë ata që, për arsye higjienike, nuk kanë nge të merren me të. Ai s’e lodh mendjen për peshën e fjalës, për nderin dhe dinjitetin e atyre që i sulmon harbutërisht, për budallallëqet, për të cilat në një shtet normal do të ndëshkohej pashmangshëm dhe do të paguante tagre të majme.

Shkarrashkruesi e pandeh veten kompetent prej të cilit gjithsecili duhet të marrë leje kur të nisë një punë në profesionin e tij, sepse, të thashë: është sui generis, është monstër, është imazhi gri i kulturës shqiptare, hafija shpifarake dhe nxirësi më i papërgjegjshëm i atyre që i urren pa asnjë arsye racionale.

I këtillë është shkarrashkruesi, po ti mos u tut prej tij dhe kqyr udhën tënde, pa çka se ai nuk e kqyr të veten. Ti jeton në një botë pise të mbipopulluar me kandra kafkiane dhe nuk ke asnjë gjasë për ta ndryshuar me gjallje boshtin e shtrembër të saj. E vetmja gjë që s’arrin dot të ta marë asnjë rrot sëme është sovraniteti i shpirtit tënd, i mbrojtur me kokra djerse e hove të pandalshme pune. Prej shkarrashkruesit tutu vetëm nëse (ruajna Zot!) flet e shkruan diçka mirë për ty, sepse në kësi rasti do të ndihesh thupër gardhi përokolla ahurit ku banon shpirtmikrobi. Tutju dhe stadit majmunor të Franc Kafkës, sepse: po mbete jeshil të hanë dhitë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Dekan sa i përket njerëzve të tille, duhet ta dëgjosh thënien e Dante Aligerit në Komedinë hyjnore “Segui il tuo corso et lascia dir les genti” që në përkthim të lirë do të thotë Ec rrugës sate, bota le të flasin, ndërsa anglisht
    Follow your road and let the people say.

Back to top button