Përfundoi dashuria Idrissou – Shkëndija
Mohammadou Idrissou ka përfunduar qëndrimin e tij te Shkëndija. Kamerunasi dhe drejtuesit e klubit në një takim të sinqertë kanë analizuar mirë situatën, duke arritur në përfundim se ndarja është në interes të dy palëve.
Idrissout i është sqaruar se në sezonin e ri hapsirë për të luajtur do të kenë futbollistë më të ri, të cilët do të jenë bazë për të ardhmen dhe duke ditur pedigren që ka ai, nuk do të ishte mirë që të qëndrojë në kushte kur hapsirat për të luajtur do të jenë minimale. Gjithë këtë e ka kuptuar në mënyrën më korekte sulmuesi nga Kameruni, i cili ka vendosur që të pranojë prishje të kontratës gjashtë muaj para skadimit të saj.
Mohammadou Idrissou megjithëse nuk arriti të lë shenjë në fanellën e Shkëndijës dhe realisht nuk solli rendimentin e pritur, gjithsesi bazuar në të kaluarën e tij mbetet futbollisti më me emër që ndonjëherë ka luajtur në futbollin e Maqedonisë. Ai Shkëndijës i’u bashkua në merkaton e janarit kur firmosi kontratë një vjeçare, ndërsa përkundër faktit që s’luajti shumë ai solli një frymë shumë pozitive në ekip, posaçërisht te më të rrinjtë që kishin çka të mësojnë nga një futbollist që mbi 15 vite kishte luajtur në skuadra të njohura në Gjermani.
Kryesia e KF Shkëndija shpreh falenderimet më të sinqerta për Mohammadou Idrissoun, i cili sado pak dha kontribut në fanellën ‘kuqezi’. Idrissou bëhet futbollisti i pestë që largohet nga Shkëndija këtë verë, pasi paraprakisht ‘kuqezinjtë’ u ndanë nga Mitrov, Miliev, Vukçeviç dhe Ashkovski.