Ja se si e vlerësojnë deputetët fjalimin e Ivanov

Fjalimi i Presidentit të shtetit Gjorgje Ivanov në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë është komentuar në mënyra të ndryshme nga partitë e vendit. Partitë opozitare e vlerësojnë fjalimin si të zbrazët ndërkaq VMRO-DPMNE thonë se presidenti ka kryer obligimet e tij kushtetuese dhe ligjore në interes të qytetarëve të Maqedonisë.

“Fjalimin e vlerësojmë si një fjalim lamtumirës të një presidenti në ikje, model të presidentit të cilin ne nuk do ta mbështesim më. Përmbajtja e fjalimit vetëm sa e konfirmoi qëndrimin e BDI-së se ka ardhur koha që Maqedonia të ketë një kandidat koncensual. Ne ishim prezent në paraqitjen e presidentit në ikje për të respektuar institucionin president I shtetit, përndryshe ky president në ikje  nuk e ka arsyetuar mbështetjen nga votuesit shqiptarë në Maqedoni”, deklaroi deputeti i BDI-së Nexhati Jakupi.

Ndërkaq deputeti i VMRO-DPMNE-së Antoni Milloshovski vlerësoi se në 5 vitet e kaluara presidenti Ivanov në mënyrë korrekte ka kryer detyrën e tij në politikën ndërkombëtare, duke e prezantuar Maqedoninë dhe duke kryer obligimet e tij kushtetuese dhe ligjore në interes të qytetarëve të Maqedonisë.  

“Vlerësojmë se bëhet fjalë për një politikan të sinqertë dhe me moral, që i përmbahet parimeve të tij, sidomos kur bëhet fjalë për çështjet kombëtare, që janë sfidë ndërkombëtare e vendit tonë. Në planin vendor mund të thuhet se ai ka qenë I hapur në punën e tij gjë të cilën e dëshmon pjesëmarrja e tij nëpër ngjarje dhe komunikim me qytetarët e vendit, por edhe me të gjithë politikanët në vend. Vlerësojmë se në viti që lëmë pas dhe me fjalimin e Ivanovit, kemi edhe një argument plus që ta cilësojmë punën e tij të suksesshme të planin vendor dhe ndërkombëtare dhe presim që në këtë mënyrë ta kryejë punën e tij”, deklaroi Milloshov.

“Është shumë e vështirë dhe e pamundur të komentohet një fjalim i zbraztë apo një president që vet e ka devalvuar institucionin e presidentit të shtetit. Gjorgje Ivanov, sot në fjalim e tij e përfundon mandatin e tij ashtu siç e ka filluar, ‘ka fotografi, ska zë’. Ai me urdhër të shefit të tij Nikolla Gruevskiti, ka devalvuar institucion e presidentit të shtetit dhe lejoi që të dirigjohet me telekomandë nga ana e Qeverisë së Maqedonisë. Edhe sot Ivanovi nuk dha përgjigje për çështje kryesore që i tangojnë qytetarët, për kriminalitetin, korrupsionin, gjyqësinë e partizuar, për presionin mbi mediat, për ndarjet në të gjitha bazat në vend. Më e keqja është se ai nuk ka mendim apo vizion nga duhet të shkojë Republika e Maqedonisë”, deklaroi Igor Ivanovski nga  LSDM.

“Ne, deputetët e RDK-së nuk morëm pjesë në seancën ku mbajti fjalim presidenti i shtetit, por kjo nuk do të thotë se nuk e kemi dëgjuar fjalimin e tij. Konstatojmë se presidenti Ivanov, mbeti konsekuent si president i vetëm një partie  politike, gjegjësisht i VMRO-DPMNE-së dhe edhe në fund të mandatit dëshmoi se nuk posedon kapacitet për të qenë president i të gjithë qytetarëve të vendit. Edhe në këtë fjalim, nuk dëgjuam asgjë për çështje më me rëndësi që i angojnë qytetarët e vendit, posaçërisht nuk dëgjuam asgjë lidhur me përkeqësimin e relacioneve ndëretnike. Këtu parasë gjithash kam fjalën për projektin ‘Shkupi 2014’ për të cili Gjorgje Ivanov, nuk dha asnjë vlerësim. Për shqiptarët është një moment shumë I rëndësishëm për të menduar se cili do të jetë kandidati I cili do të duhet të përkrahet nga partitë politike shqiptare në radhë të parë nga BDI dhe PDSH dhe jo rastësisht ne si RDK ofruam që partitë shqiptare të dalin me një kandidat shqiptar, që do ti ketë në konsideratë të gjitha interesat e qytetarëve të vendit, pa dallim të përkatësisë etnike apo fetare”, deklaroi Naxhi Xhelili nga RDK.

Ndryshe, fjalimi i presidentit është bojkotuar nga deputetët shqiptar në Kuvend.

Lajme të ngjashme

Back to top button