Strasburgu nuk u prononcua për faljet e Ivanovit, por konsideron se ankesat mbi këtë bazë kanë qenë të shpejtuara

Një nga mesazhet kryesore nga vendimi është se sistemit nacional gjyqësor të Maqedonisë së Veriut duhet t’i jepet mundësi që të zgjidhë ankesa të këtilla dhe t’i rregullojë të gjitha shkeljet eventuale të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, transmeton Portalb.mk nga 360 Shkallë.

Ankesat e të akuzuarve dhe të dënuarve në rastet që i hapi PSP-ja janë të palejuara sepse nuk janë shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike nacionale, është lajmi i cili jehoi këtë mëngjes në Maqedoninë e Veriut, e që erdhi nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) në Strasburg.

Nga GjEDNj-ja lajmin e shpallën nëpërmjet një njoftimi për mediat, e paralelisht në mënyrë publike e shpërndanë edhe vendimin e përpiluar në 35 faqe, si dhe rezymenë e shkurtër juridike në të cilën konkluzioni mbi aplikimet është se ato janë:

“Të palejuara (nuk janë shfrytëzuar mjetet juridike vendore)”

Një pjesë e funksionarëve shtetërorë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, për të cilët presidenti i atëhershëm Gjorge Ivanov fillimisht solli vendim për falje, e pastaj të njëjtin e tërhoqi, i dorëzuan aplikimet për tu ankuar se janë shkelur dy nene të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut: neni 5 i cili i referohet të drejtës për liri dhe siguri dhe neni 6 i cili i referohet të drejtës për procedurë të drejtë gjyqësore.

Teza e të akuzuarve dhe të dënuarve ishte se një falje e dhënë një herë nuk mund të tërhiqet.

Nga sqarimi që e bëri Gjykata në Strasburg mund të konstatohet se GjEDNj-ja nuk është përfshirë në interpretimin e asaj se falja, apo edhe tërheqja e të njëjtës, a kanë qenë të bazuara juridikisht apo jo.

Një nga mesazhet kryesore të vendimit është se sistemit nacional gjyqësor të Maqedonisë së Veriut duhet t’i jepet mundësi që të zgjidhë ankesa të këtilla dhe t’i rregullojë të gjitha shkeljet eventuale të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Qëndrimin e këtillë Strasburgu e thekson në pjesën ku e shpreh qëndrimin e vet mbi atë nëse ka pasur shkelje të nenit 6 (të drejtën për procedurë gjyqësore të drejtë).

“Qeveria pretendonte se aplikimet janë të shpejtuara sepse ende ka procedura apeli që janë në vijim e sipër për këto raste pranë gjykatave të Maqedonisë së Veriut. Gjykata e shkallës së parë ose i ka shpallur si të vlefshme këto shfuqizime, si dhe akuzat kundër aplikantëve, ose nga ana tjetër nuk i ka komentuar. Qeveria, duke u thirrur në dispozitat e Ligjit për Procedurën Penale (LPP), pretendonte se procedura ankimore e shkallës së dytë në Maqedoninë e Veriut do t’u japë mundësi aplikantëve që t’i shpalosin argumentet e tyre në lidhje me faljet. Përveç kësaj, LPP-ja lejon edhe rishqyrtim të çrregullt të vendimeve, nga ana e Gjykatës Supreme, ndërsa Gjykata ishte e kënaqur që kërkesa e këtillë nën rrethana të caktuara do të jetë një mjet efektiv juridik në të cilin do të mund të mbështeten aplikantët e faljeve dhe nëse fitojnë individualisht të kërkojnë kompensim financiar”, shkruan në sqarimin e Strasburgut.

Sistemi gjyqësor nacional, sipas GjEDNj-së, mund ta zbatojë në mënyrë direkte Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe prandaj duhet t’i jepet mundësi që të vendosë në bazë të ankesave dhe t’i rregullojë shkeljet eventuale të saj.

Në vendimin prej 35 faqesh, gjykatësit e Strasburgut i shënojnë argumentet e aplikantëve, si dhe mbrojtjen e shtetit. Jepet një pasqyrë kronologjike e të gjithë asaj që ka ndodhur në lidhje me lëndët në të cilat ndiqen aplikantët, si dhe pasqyrë e faljes së Ivanovit, me të gjitha ndryshimet dhe vendimet (edhe të Gjykatës Kushtetuese) në lidhje me Ligjin për falje.

Vendimin e Strasburgut e solli një këshill prej shtatë gjykatësve të cilët vijnë nga 7 vende të ndryshme: Arnfin Bardsen (Norvegji) i cili ka qenë kryetar i këshillit; Polin Kaskelo (Finlandë); Tim Ajte (Mbretëria e bashkuar), Sadet Jyksel (Turqi); Lorejn Shambri Orland (Maltë); Fredrik Krenc (Belgjikë) dhe Dijana Sarku (Moldavi).

Vendimi i GjEDNj-së ka të bëjë me gjashtë aplikime nga tetë persona, prej të cilave aplikimin e parë e parashtroi kryetari i mëparshëm i komunës së Manastirit, Vlladimir Talevski, në nëntor të vitit 2017. Kështu edhe rasti është shënuar si “Taleski dhe të tjerët kundër Maqedonisë së Veriut”.

Aplikantët e tjerë janë: Ish Kryeministri Nikolla Gruevski, ish ministrat Gordana Jankullovska dhe Mile Janakieski, ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov; shefi i kabinetit të Mijallkovit – Toni Jakimovski dhe ish kryetarët e komunave të Gazi Babës (Maqedoni e Veriut) dhe Pustecit (Shqipëri), Toni Trajkovski dhe Edmond Temellko.

Të gjithë janë të përfaqësuar nga Avokati Vllatko Ilievski, i cili është bashkëshorti i ish ministres Gordana Jankullovska.

Si u falën e pastaj u “çfalën” nga Ivanovi.

Presidenti i mëparshëm Ivanov solli vendim për falje në prill të vitit 2016 i cili kishte të bëjë me më shumë se 50 persona të përfshirë në rastet e PSP-së, por edhe jashtë tyre. Vendimi asokohe shkaktoi demonstrata masovike dhe papëlqyeshmëri në publik, por edhe polemika nga ana e profesionistëve se a mund të shtojë falje.

Ai e dha faljen duke i thirrur në nenin 11 të Ligjit për falje. Mirëpo, ajo çka ishte kontestuese ishte nëse ai nen ishte në fuqi në vitin 2016 kur u dha falja apo jo? Pse?

Neni 11 parasheh se “Kryetari i Republikës me përjashtim mund të japë falje edhe pa zbatim të procedurës për falje të paraparë me këtë ligj, atëherë kur kjo gjë është në interes të Republikës, ose kur rrethana të veçanta që kanë të bëjnë me personin dhe me veprën penale e përcaktojnë se ajo është e arsyetuar”.

Neni është pjesë e Ligjit të miratuar në vitin 1993. Mirëpo, në vitin 2009, kur Branko Cërvenkovski si kryetar i shtetit e fali Zoran Zaevin, qeveria e atëhershme e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së votoi ndryshime ligjore me të cilat e fshinë nenin 11.

Mirëpo, në vitin 2016- direkt para se Ivanovi të vendosë të japë falje, përbërja e atëhershme e Gjykatës Kushtetuese i shfuqizoi ndryshimet e Ligjit të vitit 2009. Ajo që një pjesë e ekspertëve e kontestuan në lidhje me faljen, është se presidenti, megjithatë, edhe përkrah vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka mundur ta realizojë faljen sepse fakti që janë shfuqizuar ndryshimet ligjore të vitit 2009 nuk do të thotë që është “ngjallur” dhe kthyer në fuqi neni 11.

Për shkak të reagimeve të fuqishme, revoltës dhe protestave masovike që i shkaktoi Ivanovi në prill të vitit 2016, përbërja e atëhershme parlamentare që ti mundësojë bazë i tërhoqi faljet, të cilat edhe ashtu ishin të kontestuara, miratoi ndryshime ligjore duke e futur nenin 11-a i cili parashihte :”Presidenti mundet që në afat prej 30 ditësh nga dita e miratimit të ligjit të shfuqizojë faljen”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button