Presidentja dhe kryeminstri i Kosovës ngushëllojnë popullin jugoafrikan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ngushëlloi qytetarët e Afrikës Jugore dhe liderët botërorë për humbjen e ish-presidentit Nelson Mandela.

Në telegramin e ngushëllimit thuhet “Me dhembje të thellë morëm lajmin për vdekjen e ish-Presidentit të Afrikës së Jugut, nobelistit të paqes dhe promovuesit të të drejtave të njeriut, Nelson Mandela. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, më lejoni të shpreh ngushëllimet më të përzemërta për njeriun që njohu shumë vuajtje, por që gjeti guximin dhe kurajën që atë përjetim ta shndërrojë në forcë për të reformuar vendin e tij dhe për të udhëhequr njerëzit e tij drejt pajtimit dhe bashkëjetesës paqësore”.

“Për gjenerata të tëra, përreth gjithë botës, Mandela u shndërrua në simbol të rezistencës paqësore dhe paqes. Për popullin e Kosovës, që njohu vuajtje të ngjashme, ai përherë do të mbetet inspirim në kërkim të lirisë dhe paqes, demokracisë dhe pajtimit”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të presidentes.

Ndërkaq edhe kryeministri i Qeverisë së Republikës se Kosovës, Hashim Thaçi ngushëllon popullin jugoafrikan, me rastin e vdekjes së ish presidentit Nelson Mandela.

Në telegramin e ngushëllimit thuhet “Me pikëllim të madh morëm lajmin që simboli i paqes dhe lirisë, ish-presidenti jug-afrikan, Nelson Mandela ndërroi jetë. Ish-presidenti Nelson Mandela një jetë të tërë e kuptimësoi në shërbim të arritjes së lirisë së vendit të tij. Nelson Mandela u bë simbol universal dhe vlerë mbarëplanetare e kuptimit human të lirisë dhe përkushtimit konkret për këtë ideal sublim të njerëzimit”.

“Nelson Mandela ishte personaliteti me integritetin më të fortë moral, duke dëshmuar se individi sintetizon fuqinë e historisë njerëzore, si përpjekje për emancipim, liri të plotë, barazi dhe drejtësi universal, pa dallim vendi, race dhe kulture. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegram. sn/hr/11:07

Lajme të ngjashme

Back to top button