Çmimi “Diaspora” për vitin 2015 i ndahet Elina Dunit

Ambasada e Republikës së Kosovës bën të ditur se për vitin 2015 çmimi Diaspora do t’i ndahet artistes sonë të shquar Elina Duni.

“Ceremonia e ndarjes në prani të personaliteteve dhe diplomatëve të huaj do të mbahet në Bernë të Zvcirës më 20 maj 2015″, njofton ambasada.

E veçanta e Elinës është se ajo, në skenat më të mëdha evropiane dhe SHBA, ka kënduar dhe këndon Shqip, duke i sjellë këngët tona të bukura shqiptare në formën e Xhazit. Muzika e saj është pëlqyer dhe duartrokitur gjithandej Evropës dhe SHBA-së. Në një paraqitje ekzluzive para Qeverisë Federale Zvicrane, më 2014, Elina Duni kishte mahnitur Keshilltarët Federalë Helevtikë me zërin e saj melodioz dhe interpretimin e saj të përsosur të këngëve.

Elina Duni ka lindur në Tiranë në vitin 1981. Ngjitet për herë të parë në skenë në moshën pesë vjeçare, këndon në Radio Televizion si dhe në Festivalet e Fëmijëve. Në vitin 1991, shpërngulet në Gjenevë, në Zvicër, bashkë me mamanë e saj, ku studion pianon klasike dhe zbulon jazz-in.

Mbas një seri projektesh të ndryshme muzike, filmi dhe teatri, Elina studion për kanto, kompozicion dhe pedagogji në degën Jazz të Shkollës së Lartë të Arteve në Bernë.

Në vitin 2005 formon grupin Elina Duni Quartet me Colin Vallon në piano, Lukas Traxel në kontrabas dhe Norbert Pfammatter në bateri. Muzika gërsheton këngët folklorike shqiptare me jazz-in.

Kuarteti ka publikuar tashmë katër albume: Baresha (2008) Lume Lume (2010) Matanë Malit (2012), Dallëndyshe (2015) dhe ka marrë pjesë në festivale prestigjioze në të gjithë Evropën (Paris, Berlin, Londër etj) dhe ka luajtur në Zvicër, Gjermani, Itali, Francë, Shqipëri, Kosovë, Holandë, Belgjikë, Norvegji, Suedi, Estoni e në SHBA.

Ajo është një zë shumë i veçantë në peizazhin e jazz-it evropian dhe bashkë me muzikantët e saj, Elina Duni na dhuron një muzikë shumë kualitative por edhe ndërton ura midis popujve dhe kulturave të ndryshme.

Deri më tash Elina Duni ka fituar një numër çmimesh, kombëtare dhe ndërkombëtare, për krijimtarinë e saj muzikore.

 

2013 Çmimi Kult për “Matanë Malit”, Tiranë

2012 Çmimi Jazz Pott, Essen

2010 Pro Helvetia “Inkurajimi Prioritar i Jazz-it ”

2008 Bursa e HKB, Bernë

2008 “Coup de Coeur 2008″ Kanton Bern

2007 Bursa Friedl Wald

 

Deri më tani çmimin Diaspora e kanë fituar: Micheline Calmy Rey, këshilltare federale dhe presidente, Xherdan Shaqiri, yll i futbollit, Ueli Leuenberger, deputet nacional dhe themelues i Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës dhe Fehmi Fetahi, afarist i njohur.

Lajme të ngjashme

Back to top button