Casillas: Kemi më shumë mundësi në Champions

Ambjenti në klubin e Realit të Madridit është optimist për sezonin aktual ku skuadra mbetet në garë për dy trofe edhe pse muzika e Champions League mbetet kryefjalë në kampin “Merengues”. Pas Carlo Ancelottit edhe Iker Casillas kërkon të nënvizojë faktin se në Europë mundësitë për të fituar janë më të mëdha.

“Jemi në gjysmëfinale dhe si çdo skuadër tjetër në këtë fazë kemi 25% mundësi për të triumfuar. Për popullin madrilen më shumë rëndësi ka pasur përherë Champions League dhe nëse e fitojmë për të dytën herë rresht do të ishte një arritje historike”.

Gjithsesi, me këtë deklaratë, kapiteni nuk ka aspak ndërmend të nënvleftësojë sfidën me Juventusin.

“Do të jetë një përballje shumë e vështirë por edhe apasionuese dhe dëfryese. Do të ndeshen dy skuadra me lojtarë të mëdhenj por stil të ndryshëm. Pirlo dhe Buffon janë yjet e tyre. Jam përballur disa herë me ta dhe ndonjëherë kam gëzuar unë dhe ndonjëherë ata”.

Takimi i parë gjysmëfinal do të luhet në “Juventus Stadium” në datën 5 Maj, ndërsa ai i kthimit 8 ditë më pas në “Santiago Bernabeu”./SS/

Lajme të ngjashme

Back to top button