Tahiri: Serbët të gatshëm për të dalë në zgjedhje

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë se, në bazë të informacioneve që ka dhe paraqitjeve publike të serbëve, tanimë ekziston gatishmëri për pjesëmarrje të qytetarëve serbë në zgjedhjet lokale.
“Në bazë të informacioneve që po marrim dhe paraqitjeve publike të qytetarëve serbë nga pjesa veriore, në përgjithësi ka gatishmëri për pjesëmarrje sa më të mirë në zgjedhje. Disa zëra që i dëgjuam kohët e fundit kundër zgjedhjeve, vijnë nga ata të cilët kanë përfituar nga pushteti joligjor, i cili ka vepruar në veri në të kaluarën. Mendoj se do të ketë pjesëmarrje të qytetarëve serbë në zgjedhje. Qytetarët serbë të pjesës veriore moti e kanë dëshiruar demokracinë dhe normalitetin. Ata që flasin për bojkot të zgjedhjeve do të mbesin të margjinalizuar”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se institucionet e Kosovës dhe Bashkimi Evropian (BE) janë duke dhënë mesazh të fuqishëm për qytetarët serbë në veri për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.

“Në të gjitha takimet e nivelit të lartë, të kryeministrave me baroneshën Catherine Ashton, vazhdimisht është riafirmuar përkushtimi i të gjitha palëve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale dhe suksesin e plotë të tyre. Ky është një masazh i fuqishëm politik që u shkon edhe serbeve të pjesës veriore, të cilët duhet ta kuptojnë se këto zgjedhje do ta kenë njohjen ndërkombëtare, sepse janë të mbështetura nga faktori relevant ndërkombëtar siç është Bashkimi Evropian, Gjermania dhe bota demokratike”, është shprehur Tahiri për “Epokën e re”.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë se zgjedhjet lokale të këtij viti kanë rëndësi historike për faktin se, sipas saj, për herë të parë qytetarët e katër komunave të veriut do të marrin pjesë në zgjedhje. “Mendoj se mbështetja nga bashkësia ndërkombëtare është një mesazh i mjaftueshëm për qytetarët serbë që ta shfrytëzojnë rastin t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitimë”, ka thënë Tahiri.

Duke folur për dukjen e fletëvotimeve në veri, Tahiri ka thënë se përmbajtja e tyre do të jetë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.

“Marrëveshja thotë se zgjedhjet do të mbahen sipas ligjeve të Kosovës, prandaj procesi zgjedhor me gjithë dokumentacion do të jetë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri. /Epoka e re/ Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button