Itali, shpëtohen 850 emigrantë në brigjet e ishullit Lampeduza

Marina italiane ka shpëtuar qindra emigrantë, të cilët ndodheshin në bordin e një anije tregtare në brigjet e ishullit Lampeduza në Siçili. Roja bregdetare deklaroi se 850 emigrantët e shpëtuar në detin Mesdhe ishin nga Siria.

Autoritetet italiane publikuan imazhet, në të cilat shfaqet anija e madhe duke u shoqëruar drejt portit Augusta. Tashmë është kthyer në fenomen transporti i paligjshëm i qënieve njerëzore me anije tregtare.

Në muajt e fundit ky është rasti i tretë që Italia shpëton qindra persona të cilët rrezikojnë jetën me anije tregtare për të hyrë në vendet e Bashkimit Europian. Gjithashtu edhe në ujërat greke thuajse një muaj më parë një anije greke u shpëtua në afërsi të ishullit të Kretës dhe pamjet e publikura tregonin kushtet e tmerrshme në të cilat emigantët kryesisht nga vendet e konfliktit përballen në anijet e mallrave. Anijet blihen zakonisht në mënyrë të paligjshme në vendet ku shiten për skrap.

Emigrantët paguajnë nga 4 mijë deri në 6 mijë euro për një udhëtim drejt të ardhmes se shpresuar më të mirë. Italia ka mbyllur kohët e fundit misnionin e shpëtimit të emigrantëve të quajtur “Mare nostrum”, gjatë të cilit ka arritur të shpëtojë rreth 100 mijë emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

Nisma nisi menjëherë pas tragjedisë së Lampeduzas, ku më shumë se 360 emigrantë humbën jetën në ujërat italiane. Mare nosturm kushtoi 10 milione euro, gje e cila rendoi ekonominë e brishtë italiane dhe coi në mbylljen e misionit./Oranews

Lajme të ngjashme

Back to top button