Qyteti i Shkupit miratoi buxhetin, reagojnë nga LSDM: Kanë votuar buxhet luksoz

Qyteti i Shkupit miratoi buxhetin për vitin 2015. Kjo ishte shkak që LSDM-ja të reagojë ashpër ndaj kreut Koce Trajanovski si dhe anëtarëve të tjerë të pushtetit, të cilët sipas tyre kanë votuar buxhet luksoz e jo që mbulon nevojat elementare të qytetarëve. Damjan Mançevski, kryetar i grupit të këshilltarëve të LSDM-së madje pohon se Trajanovski nuk ka qenë as prezent kur u votua buxheti në orët e hershme të mëngjesit. Nga kjo parti gjithashtu akuzojnë se  prej 64 amendamenteve, shumica nuk janë marrë  as parasysh.

“Ky buxhet është i luksit, buxhet i cili nuk i zgjidh problemet reale të shkupjanëve. Shumica qeveritare sot votoi buxhet për përmendore, në vend të rrugëkalimeve nëntokësore. Votuan për fontana e jo për shkollë të mesme në Aerodrom. Votuan për sheshe e jo për uljen e nivelit të ndotjes. Votuan edhe për një panoramë tjetër, e jo për  ujësjellës e rrugë. Votuan edhe për fasada të shumta në stilin barok, e jo edhe për projekte për efikasitet energjetik”, deklaroi Damjan Mançevski, kryetar i grupit të këshilltarëve të LSDM-së.

Por kreu i Qytetit të Shkupit Koce Trajanovski hodhi poshtë pohimet e tilla të partisë në opozitë duke thënë se paratë dhe projektet  e parapara në buxhet kanë për qëllim vetëm mirëqenien socio-ekonomike të qytetarëve dhe zhvillimin në tërësi të tij.

Edhe opozita shqiptare ka parashtruar  27 amendamente para votimit të buxhetit, por kritikat dhe vlerësimet e tyre nuk janë marrë parasysh.

Lajme të ngjashme

Back to top button