David Kamerun: Gati ta nxjerr Britaninë nga BE-ja nëse dështojnë reformat për emigrantët

Britania duhet të ketë të drejtën të vendosë që emigrantët duhet të presin katër vite para se të marrin ndihmë sociale apo banesë sociale, thotë kryeministri, David Kamerun duke paralajmërua se po përgatitet për një dalje të mundshme nga Bashkimi Evropian.

Në fjalimin e shumëpritur për Evropën, Kamerun tha për herë të parë se asgjë nuk përjashtohet nëse liderët e BE-së kundërshtojnë planin për sistemin e përfitimeve nga emigrantët. Ai tha se është gati të drejtojë dhe fushatën për daljen e Britanisë nga BE-ja në një rast të tillë.

Plani i Kamerun është që të huajt që kërkojnë punë në Britani t’u ndalohet që të marrin ndihmë ekonomike si dhe në rast se nuk gjejnë punë brenda gjashtë muajve të dëbohen nga Britania e Madhe. Gjithashtu, të huajt do t’u ndalohet që të dërgojnë miliona paund jashtë vendit për fëmijët apo taksa, nëse nuk sjellin fëmijët në Britani.

Kryeministri britanik do të vendosë një numër “vijash të kuqe” për negociatat e ardhshme me Brukselin, që siç tha ai kërkojnë ndryshimin e traktateve.

Kamerun, i cili ka premtuar një referendum për daljen apo qëndrimin në BE në vitin 2017-të, theksoi se njerëzit duhet të dëgjohen. Fjalimi i tij në fakt është projektuar edhe për të dëmtuar partinë UKIP, pasi vjen para fushatës zgjedhore.

Numri i emigrantëve në Britani është rritur me 260 mijë persona vitin e kaluar dhe tashmë përqindja e emigrantëve është 75% më shumë para se Kamerun të bëhej kryeministër në vitin 2010, raporton “The Telegraph”./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button