Renova e fitoi derbin e Tetovës

Renova ka shënuar fitore në derbin tetovar, duke e mundur Shkëndijën me rezultat 1:0 në kuadër të xhiros së 14-të në Ligën e Parë të futbollit në vend.

Edhe pse ishin në seri prej dy fitoreve me radhë dhe paralajmëronin fitoren e tretë të njëpasnjëshme, futbollistët e Shkëndijës nuk ishin në nivelin e dy dueleve paraprake dhe u detyruan të dorëzohen para një Renove që tre pikët i siguroi në kohën shtesë me gol nga pika e bardhë. Ndeshja nisi me iniciativë të Shkëndijës, e cila megjithatë nuk arrinte të gjejë portën kundërshtare.

Mitrov kishte mundësinë më serioze, mirëpo në portën e Renovës i disponuar për lojë u shfaq Salajdin Mustafi. Ai mbajti rendimentin e njëjtë edhe në vazhdim dhe në fund ishte ndër më të merituarit për tre pikët e ekipit të tij. Në minutën e 38-të Zhunior pason mirë për Mitrovin, mirëpo edhe një herë Mustafi nuk lejon kapitulim. Deri në fund të pjesës së parë Shkëndija kishte edhe disa mundësi të mira shënimi me anë të Vruçinës dhe Bojkut, mirëpo në të gjitha rastet fitimtar doli portieri Mustafi.

Shkëndija edhe pjesën e dytë e nisi me sulme, mirëpo rastin më të mirë e kishte Renova kur Emini del para portës dhe ndalet nga Jovanovski, ndërsa në vazhdim pas rëmujës së krijuar sërisht tenon Emini, por nga vija e portës shpëton Miliev. Në anën tjetër Vruçina kanoset mbi portë, pastaj tentimi i Zebës mrekullisht ndalet nga Mustafi, në vazhdim Imeri nuk arrin të shqetësojë portierin e Renovës, i cili më vonë ndali me qetësi edhe tentimin me vole të Kirovskit.

Dhe kur dukej se ndeshja do të mbyllej me rrjeta të paprekura, Renova ishte në sulm, ndërsa arbitri Faton Mustafi referon lojë me dorë nga ana e Imerit dhe i jep penalti skuadrës ‘vendase’. Agon Memedi konverton me sukses në gol 11-të metërshin, duke i dhënë epërsi 1:0 Renovës. Shkëndija tani më kishte shumë pak kohë për të reaguar, ndërsa pas një rëmuje në zonë Abdulla nuk arrin të barazojë kur nga afërsia godet mbi portë. Menjëherë pas kësaj arbitri mbylli ndeshjen që solli humbje të Shkëndijës dhe ndërprerje të serisë prej dy fitoreve.

Në ndeshjen tjetër Rabotniçki ka mundur Pelisterin me rezultat 1:0. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button