USHT: Protestat e studentëve në Shkup nuk përkojnë me realitetin

Prorektori për Arsim në USHT, Fehari Ramadani në një konferencë për shtyp, thotë se protesta e një grupi të studentëve nga fusha e shkencave matematike-natyrore, nuk përkon aspak me realitetin objektiv dhe sipas tij,  këto protesta e dëmtojnë zhvillimin e procesit mësimor në të gjitha programet e disperzuara në qytetin e Shkupit.

Ai ka thënë se udhëheqësit e Universitetit Shtetëror të Tetovës kanë punuar me përkushtimin më të madh për krijimin e kushteve infrastrukturore dhe akademike, që studentët e Universitetit Shtetëror të Tetovës të mos e ndiejnë veten inferiorë, përkundrazi ta ndiejnë veten në nivelin e njëjtë me kolegët e tyre nëpër universitetet më prestigjioze të rajonit dhe botës.

“Universiteti Shtetëror i Tetovës, duke e parë si të domosdoshme shkollim e gjeneratave të reja anembanë viseve shqiptare në vend dhe rajon, edhe përkundër vështirësive të mëdha financiare dhe infrastrukturore, ka bërë çmos, që studimet e disperzuara të mbeten atributi i vetëm akademik dhe kombëtar i yni, prandaj dhe në vazhdimësi kemi bërë investime kapitale në të gjitha objektet e studimeve të disperzuara si Gostivar, Kërçovë, Strugë, Kumanovë, dhe në veçanti në qytetin e Shkupit, ku, në bashkëpunim edhe me komunën e Çairit, e kemi zgjedhur problemin hapësinor, i cili ka qenë një kancer për Universitetin Shtetëror të Tetovës për disa vjet me radhë”.

Ramadini thotë se me vendim të Senatit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, por edhe në Konkursin e përvitshëm të pranimit të studentëve të rinj, është e theksuar qartazi, se nuk do të mund të zhvillohet mësimi për ato grupe, që  do të kenë më pak se 20 studentë, rregullativë që është ulur në 15 studentë, vetëm e vetëm që t’ua mundësohet studentëve vijim e studimeve nëpër programet e disperzuara në të gjitha qytetet e lartpërmendura”.

Ramadani ka thënë se edhe akuza tjetër, se udhëheqësia e tanishme u ka vënë pagesë shtesë prej 100 denarëve studentëve, kur ata e regjistrojnë vitin akademik, është e paqenë dhe e pabazuar.

“Gjithsesi jemi te vetëdijshëm se ky fond i krijuar as për së afërmi nuk i plotëson kërkesat dhe nevojat e studentëve për aktivitetet e tyre, por do te mbetem të vendosur që të njëjtat të mbështeten financiarisht edhe në të ardhmen nga fondet e USHT-së”, ka thënë Ramadani.

Lajme të ngjashme

Back to top button