Partitë shqiptare të Maqedonisë rrezikohen nga fryma të reja politike

Opozita shqiptare në Maqedoni do të dalë më e konsoliduar apo më e dobët si pasojë e nismave të reja partiake, të paralajmëruara ditëve të fundit?

Boshllëku politik si pasojë e një opozite të dobët ka nxitur paralajmërimin e lëvizjeve të reja politike në taborin shqiptarë. Sa do të janë të aftë ato që të mbijetojnë në ambientin e kontaminuar politikisht? Është një pyetje që vë në dilemë njohësit e rrethanave politike.

Mendimet janë të ndara lidhur me këtë pyetje, por bashkëbiseduesit e Inbox7 pajtohen se nevojitet një rirreshtim i forcave politike shqiptare të opozitës për të qenë alternative e vërtetë politike e Bashkimit Demokratik përIntegrim (BDI) në pushtet. Njëri nga nismëtarët për formimin e subjektit të ri politik, që do të mbajë emrin BESA, profesor Zeqirija Ibrahimi shprehet për Inbox7 se opozita shqiptare, e përfaqësuar përmes Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) nuk reflekton potencialin real të popullit opozitar ndër shqiptarët në Maqedoni. “Ne kujtojmë se në Maqedoni edhe si opozitë mund të bëhet shumë më shumë seç bën opozita aktuale shqiptare, e cila është shndërruar në një subjekt që nuk është më as mish as peshk dhe krejt varet nga takimet që i bëjnë përfaqësuesit e saj kafeneve të Shkupit. Sa i përket çështjes se a ka ndryshuar diçka pas kongresit të PDSH-së, kujtoj se ndryshime aty nuk presin as vetë anëtarët e kësaj partie, e le më dikush tjetër. Krejt do të jetë një deja vu, që vetëm i shërben qëndrimit në pushtet të BDI-së. Asgjë më shumë”, u shpreh Ibrahimi.

 Ku është opozita e vërtetë?

Profesori Vebi Bexheti, i cili gjatë dy dekadave është aktiv në skenën politike konsideron se ka kohë që në Maqedoni nuk ka opozitë të vërtetë, madje mendon se kryetarit të PDSH-, Menduh Thaçi si duket nuk i konvenon një opozitë e mirëfilltë, ashtu siç nuk i konvenon madje edhe fitorja e partisë së tij. “Këtë tanimë e kanë kuptuar edhe ata që kurrë nuk janë marrë me politikë. Këtë e dëshmon më së miri përjashtimi masiv i anëtarëve nga partia, një pjesë e të cilëve ishin edhe themelues të saj, aktivistë  të palodhshëm që me veprime të guximshme politike e intelektuale lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e PDSH-së. Kryetari jolegjitim i partisë, i posa rizgjedhur nga një kongres me delegatë të thirrur me telefon, pasi e kishte humbur bazën, përmes aleancës së vazhdueshme joparimore me Qeverinë, dhe në koalicionin gjysmë të fshehtë me partitë në pushtet në disa cikle zgjedhore, e përcakton vetë pozicionin se është apo jo me pushtetin. Kur i kemi parasysh të gjitha këto veprime destruktive opozitare dhe lakminë për pushtet me çdo kusht, madje edhe atëherë kur i humb zgjedhjet, qëllimet dihen”, vlerësoi Bexheti.

Publicisti Azam Dauti gjithashtu konsideron se opozita shqiptare është e dobët, madje ai shtron dilemë nëse ka në të vërtetë opozitë shqiptare në Maqedoni. “E njëjta opozitë në shumë raste ka dëshmuar se e ka shpëtuar, apo në mënyrë të tërthortë ka qenë pro pozitës maqedonase-shqiptare, si për shembull gjatë miratimit të buxhetit të kaluar, kur opozita maqedonase me dhunë u largua nga parlamenti, kjo opozitë votoi kundër buxhetit, por ia ndihmoi pozitës që në kuvend të ketë dy të tretat dhe të miratohet buxheti. Shtrohet pyetja e logjikshme: Pse i bën këto shërbime opozita shqiptare ndaj pozitës shqiptaro-maqedonase?! Më habit fakti se si lideri opozitar nuk i pranoi zërat për reforma brendapartiake?!”, deklaroi Dauti.

 Fuqia e opozitës

Ndërkohë përveç nismës për formimin e BESË-s, në rrjedhë është edhe nisma e quajtur Lëvizja për Ndryshim-PDSH, e drejtuar nga kryetari aktual i Strugës, i propozuar nga PDSH-ja, fituesi I vetëm i një komune urbane në zgjedhjet e fundit lokale. “Mendoj se me reformimin e partisë, që tani është në proces, kthimin e të gjithë atyre që u diferencuan sipas modelit komunist, që ende e kemi të freskët, dhe vazhdimin e aktivitetit partiak të gjithë anëtarëve që i përkrahin këto reforma, do të kemi opozitë të mirëfilltë shqiptare në Maqedoni, me synime të arsyeshme edhe për fitore në bllokun politik shqiptar, të bazuar gjithmonë në Programin e dëshmuar për karakterin kombëtar dhe kërkesat e shqiptarëve, të përpiluar nga lideri, tanimë i ndjerë, Arbër Xhaferi”, deklaroiVebi Bexheti, i cili bën pjesë në grupin e nismëtarëve që mbështesin nismën e Ziadin Selës për reformimin e PDSH-së.

 Nismat e reja në raport me BDI-në dhe PDSH-në

Ndërsa subjekti i ri politik BESA, që do të promovohet publikisht në nëntor përbëhet nga njerëz të rinj, por sipas nismëtarëve të saj edhe do të ofrojë alternative të re politike.

“Ne, si subjekt i ri në skenën politike shqiptare, nuk duam të jemi të rinj vetëm për nga mosha, por edhe për nga vizioni. Ne politikën nuk e nënkuptojmë vetëm si garë zgjedhore, por edhe si edukim për krijimin e mendimit të ri politik shqiptar, edhe si aksion qytetar, por edhe si debat. Ndërkaq rolin tonë si parti opozitare nuk do ta ndërtojmë vetëm si subjekt që kritikon ndonjëherë, sa për të thënë se është opozitë, ndërsa ndonjëherë manifeston edhe dhunë, për të dëshmuar se cili i ka muskujt më të fortë, por më shumë si subjekt që ofron zgjidhje, por që edhe i organizon qytetarët për të menduar politikisht, për të qenë kritik ndaj pushtetit, për ta manifestuar publikisht pakënaqësinë dhe për të mos e pranuar rolin që detyrimisht ua përcakton pushteti siç i konvenon atij”, vlerëson Zeqirija Ibrahimi, nismëtar për themelimin e BESË-s.

 Betonimi i opsioneve politike

Publicisti Azam Dauti shprehet se suksesi i subjekteve të reja politike do të varet nga profilizimi i tyre përkatësisht a do të profilizohen si parti popullore, kuadrovike apo elitiste. Sipas Dautit edhe pse aktualisht elektorati shqiptar është i orientuar ndaj partive popullore, kjo nuk do të thotë se në të ardhmen nuk mund të ndryshojë, ndërsa konstaton se subjektet e reja duhet të synojnë hapësirën që ka partia në pushtet dhe jo vetëm ajo opozitare.

“Secila parti që themelohet, synon pushtetin e jo opozitën. Ajo parti, që themelohet, për ta zaptuar hapësirën opozitare, është e dështuar në start të humb tërësisht, sepse që në fillim ka qëllim të vogël dhe të gabuar. Nuk është logjike, të krijosh parti politike, që apriori të synosh elektoratin opozitar. Personalisht, mendoj se një subjekt i ri politik, do të mund të kishte sukses në skenën politike shqiptare, madje do të mund të ishte shumë nismë serioze, nëse të gjitha këto nisma për themelim të partive politike, do të bashkoheshin me dy degë të fuqishme të partisë pozitare dhe një degë të fuqishme të partisë opozitare”, mendon Dauti.

 Publicisti dhe botuesi Dauti shton se inkuadrimi eventual i kushtimisht thënë këtyre degëve të pakënaqura nga aktivitetet e subjekteve të tyre, do të mund të ishte një rrugë lidhëse në mes të elektoratit aktual dhe elektoratit abstenues shqiptar, që është diku rreth 60 për qind nga numri i përgjithshëm i votuesve. “Kjo formë e organizimit do të kishte shumë më tepër gjasa dhe shumë më tepër perspektivë, se sa lëvizjet fraksioniste që luftojnë për legjitimitet dhe në fund përfundojnë si parti politike, apo tjetra që përmes mendimit akademik dhe elitar synon marrjen e pozicioneve politike”, vlerëson Dauti. Ai parashikon që nismat e reja do të kenë shumë vështirësi në veprimin e tyre, por janë për t’u përuruar për guximin e tyre në këtë moment kur opsionet politike janë të betonuara, madje edhe të mërzitshme.

Sipas Azam Dautit paralajmërimet për formimin e partive të reja kanë dhënë efektet e para pozitive dhe në këtë kontekst përmend deklaratën e liderit të pozitës shqiptare, Ali Ahmeti i cili në mënyrë të drejtpërdrejt pranoi se ka shumë funksionarë shqiptarë të papërgjegjshëm dhe kjo mund të ketë reflektim pozitiv tek BDI-ja që të fillojë pastrimin e brendshëm nga kuadrot joprofesionale, të papërgjegjshëm dhe “joengjuj”, siç i cilësoi lideri i tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button