BDI: VMRO-DPMNE-ja antishqiptare po udhëheq fushatë të pakuptimtë kundër ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10-d

VMRO DPMNE opozitare konfirmon për çdo ditë se është e orientuar rrënjësisht kundër shqiptarëve në vendin tonë, kundër ndërtimit të Korridorit 8, kundër integrimit në Bashkimin Europian dhe miqësisë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thuhet në një kumtesë për media nga Bashkimi Demokratik për Integrim, transmeton Portalb.mk.

Sipas tyre fushata brutale e pakuptimtë dhe e pasinqertë e VMRO-së kundër ndërtimit të projektit më të madh infrastrukturor në historinë e vendit tonë është hipokrizi e plotë.

“Një gjë thonë në takime të mbyllura, tjetër gjë në opinion. Përpjekjet e VMRO-së për të konkurruar në një garë të vdekur me Levicën se kush është më antishqiptar, e kthen vendin para  vitit 2001”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Më tej shtohet se, VMRO-ja është kundër gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

“Bllokimi i integrimit të vendit në BE dhe i miqësisë me SHBA-të nga VMRO-ja, ka për qëllim përforcimin e pranisë ruse në vend dhe në rajon. Publikimi i një fotografie të Mickoskit me uniformë të kamufluar, me kallashnikov të zbrazur dhe i rrethuar nga gra dhe fëmijë, si dhe thirrjet për luftë në Kuvend nga Nikollovski, kanë për qëllim destabilizimin e vendit dhe dërgimin e një mesazhi për shqiptarët se ata janë qytetarë të dorës së dytë në shtet”, thuhet më tej.

Sipas BDI-së, VMRO në garë me Levicën pro-ruse bllokon ligjet në Parlament, bllokon shtetin dhe demonstron se si dukej shteti i kapur si një kujtesë për qytetarët që mund të kenë harruar.

Kujtojmë se VMRO-DPMNE opozitare, gjegjësisht nënkryetari i saj, Aleksandar Nikoloski, doli me një akuzë të re në lidhje me kontratën që shteti ka lidhur me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel and Enka”, i cili duhet të ndërtojë autostradat nga korridoret 8 dhe 10-d.

Sipas pasqyrës që ka pasur në kontratë, ai thotë se nga numri i përgjithshëm i punëtorëve që do të marrin pjesë në ndërtimin e autostradave, vetëm 30 për qind do të jenë vendas, ndërsa 70 për qind do të jenë punëtorë nga jashtë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje në një konferencë për media tha se 51 për qind të punëve, sipas kontratës me “Bechtel dhe Enka”, duhet të kryhen nga kontraktorët nga Maqedonia. Në këtë kontekst, ai tha se shpreson që do të kemi sa më shumë punëtorë, makineri dhe materiale që mund të implementohen në projekt.

“Megjithatë, një pjesë e madhe do të jetë edhe nga jashtë dhe kjo i përket kompanisë kontraktore dhe projektuese, ‘Bechtel and Enka’, të cilët tashmë kanë përvojë në ndërtimin e projekteve kaq të mëdha dhe kanë përvojë nga ku dhe çfarë profili të punëtorëve do të sjell. Meqenëse 51 për qind duhet të jenë nga Maqedonia e Veriut, shpresoj se do të kemi sa më shumë punëtorë, mekanizim dhe materiale që mund të zbatohen në projekt”, tha dje kryeministri.

Kujtojmë se dje Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore (NPRrSh) publikoi shpallje për punësimin e personave për të punuar në Njësinë e projektit për zbatimin e projektit për ndërtimin e katër autostradave në korridoret 8 dhe 10-d që do të ndërtohen nga konsorciumi amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Punësimi do të jetë për një periudhë të caktuar, deri më 22 janar 2028, gjegjësisht deri në përfundimin e projektit. Orari i punës, siç thuhet në njoftim, është 40 orë në javë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button