Rasti “Llaskarca”, seanca e pestë me ekspertin Zekiri: Më pyesni për diçka që jam përgjigjur disa herë

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot ka vazhduar gjykimi në lidhje me aksidentin e autobusit të “Durmo Turs” i cili ka ndodhur në vitin 2019-të në Llaskarcë të Shkupit, në të cilin kanë humbur jetën 16 persona dhe mbi 30 të tjerë janë lënduar. Ashtu sikur në 4 seancat paraprake, edhe sot është pyetur eksperti Zekirja Zekiri, i cili bashkë me 3 kolegët e tij e ka punuar superekspertizën makinerike të autobusit të aksidentuar. Ai disa herë gjatë seancës theksoi se pyetjeve u është përgjigjur disa herë, raporton Portalb.mk.

Në superekspertizë keni shkruar se keni konstatuar që sistemi për pezullim elastik (i cili është një nga elementet më të rëndësishme në shasinë e makinës dhe shërben për lidhje të qëndrueshme dhe të sigurt mes rrugës, rrotave dhe trupit të makinës), nuk ka pasur trysni dhe ka qenë i parregullt, ndërkaq jastëkët e këtij sistemi nuk kanë qenë të fryra, ju si ekspert nuk mund të konstatoni nëse është i rregullt, a është ashtu, pyeti, Lupço Micevski, avokati i shoferit të autobusit, Manoil Trifunovski.

“Kemi konstatuar se 2 jastëk në boshtin e parë, 4 në boshtin e dytë dhe 2 në boshtin e tretë kanë qenë të pëlcitura dhe këtë e kemi marrë prej ekspertizës së Fakultetit të Makinerisë”, iu përgjigj Zekiri, ndaj të cilës Micevski shtroi nënpyetje se, pse në ekspertizë keni vetëm 2 fotografi dhe jo 8.

Lavdrim Seferi, avokat i përfaqësuesve të kompanisë së “Durmo Turs”, reagoi me ankesë deri te gjykatësja se ndaj pyetjes është përgjigjur, duke përsëritur se eksperti tha se të dhënat janë marrë nga ekspertiza e Fakultetit të Makinerisë.

Megjithatë gjykatësja e lejoi pyetjen, ndërkaq, Zekiri tha se ekspertët e Fakultetit Makinerik i kanë parë dhe kanë konstatuar se s’ka diçka të parregullt.

Pas përgjigjes së tij, ndërhyri kolegu i Zekirit, gjegjësisht bartësi i superekspertizës, Damjan Mirçevski duke theksuar se ka vetëm dy fotografi pasi që s’kanë pasur qasje deri te elementet tjera pneumatike, e që për dallim prej tyre, ekspertët e Fakultetit të Makinerisë e kanë pasur.

“Autobusi është vendosur në një anë dhe ata kanë mundur t’i shohin të gjitha elementet pneumatike”, tha Mirçevski.

Por, avokati i shoferit Micevski, reagoi ashtu sikur herët e kaluara, duke thënë se përgjigjen e ka marrë nga eksperti Zekiri dhe nuk lejohet të japë përgjigje shtesë kolegu i tij.

Gjykatësja, Diana Gruevska Ilievski, ritheksoi se pasi të japë përgjigje eksperti i pyetur, ka të drejtë të japë përgjigje sqaruese anëtari i ekipit.

Avokati i shoferit vijoi me një sërë pyetjesh në lidhje me retarderin e autobusit (Frenues shtesë që përdoret në automjete të mëdha motorike si autobusë dhe kamionë, për të ngadalësuar automjetin, por nuk është projektuar për ta ndaluar plotësisht.

Në superekspertizë keni shkruar se retarderi është dëmtuar, a pajtoheni se pas dëmtimit, ky retarder s’ka asnjë funksion dhe nëse dikush dëshiron ta aktivizojë pas dëmtimit nuk mundet, pyeti avokati Micevski.

“Nuk kemi bërë kontroll të retarderit”, tha Zekiri.

Pas përgjigjes së Zekirit ndërhyu eksperti Mirçevski, duke theksuar se askund në superekspertizë nuk kanë konstatuar se retarderi është dëmtuar nga goditja.

“Në superekspertizë kemi cituar ekspertin e Fakultetit dhe ky nuk është konstatim i yni”, tha Mirçevski.

Avokati vijoi me pyetje se si aktivizohet retarderi, ndërkaq Zekiri i tha se i njëjti shërben për të ngadalësuar shpejtësinë, ndërkaq aktivizohet me dorë.

Ky retarder, a është aktivizuar në çfarëdo momenti të aksidentit prej fillimit e deri në fund, vijoi me pyetje Micevski, ndaj të cilës, avokatja Ruzha Tomeska u ankua te gjykatësja, duke theksuar se avokati kërkon mendim nga eksperti për diçka që nuk del nga ekspertiza.

Gjykatësja e lejoi pyetjen, ndërkaq Zekiri tha “nuk mund të konstatohet”.

Micevski e pyeti Zekirin pse nuk i kanë marrë parasysh dy ekspertizat e komunikacionit kur kanë theksuar se s’ka prova për aktivizim të sistemit të frenimit gjatë aksidentit.

“Jam përgjigjur tre herë, tani për së katërti. Neve na intereson sistemi i frenave, ndërkaq a ka pasur ose jo gjurmë duhet ta konstatojnë ekspertët e komunikacionit”, tha Zekiri.

Avokati Micevski e pyeti nëse gjatë dy kontrolleve të fundit teknike të autobusit para aksidentit, është vepruar sipas rregullave, ndërkaq Zekiri tha se edhe për këtë pyetje është përgjigjur disa herë.

“Jam përgjigjur disa herë ndaj kësaj pyetjes, në faqen 65 janë radhitur të gjitha parregullsitë”, tha Zekiri.

Edhe në katër seancat paraprake është pyetur eksperti nga ekipi i cili e ka bërë superekspertizën mekanike të autobusit të aksidentuar, Zekirja Zekiri.

Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, me superekspertizën pretendojnë t’ia hedhin fajin vetëm shoferit të autobusit, duke shmangur përgjegjësinë për gjendjen e rregullt teknike të autobusit. Nga ana tjetër, avokati i shoferit të autobusit, pretendon që shoferi nuk ka faj, por ka kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike. Prokurori konteston përgatitjen profesionale të ekspertit, ndërkaq familjarët e viktimave, vlerësojnë se deklaratat e Zekirit nuk janë të qëndrueshme dhe se ka pasur ndërhyrje të vazhdueshme nga kolegët e tij, të cilët kanë qëndruar pranë tij.

Nga seancat paraprake ku ka dëshmuar Zekiri:

Superekspertiza që Gjykata e ka porositur në dhjetor të vitit 2021 u refuzua nga Fakultetet e shtetit, me sqarimin se ekspertët e tyre tanimë kanë marrë pjesë në ekspertizë paraprake dhe se nuk janë kompetentë për të njëjtën.

Procesi gjyqësor ka filluar në shtator të vitit 2019-të. Gjykatëse e lëndës është Diana Gruevska Ilievska.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button