U shënua në mënyrë solemne operacioni i përbashkët i FRONTEX-it me Maqedoninë e Veriut
Pothuajse e gjithë kryesia e shtetit mori pjesë në ceremoninë e sotme të shënimit të fillimit të “Operacionit të përbashkët të FRONTEX-it në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, si pjesë e Marrëveshjes për aktivitete operative të kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare FRONTEX, transmeton Portalb.mk.
Fjalën e hapjes e mbajti kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndërsa nikoqir i ngjarjes në qendrën për trajnimin policor në Gjorçe Petrov, Shkup, ishin ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe drejtori ekzekutiv i FRONTEX, Hans Leitens.
Në ceremoni folën edhe ambasadori evropian David Geer, deputetja e Parlamentit Evropian Lena Dupont, me video-fjalim u paraqit edhe komisionerja e BE-së për Punë të Brendshme Ylva Johansson, ndërsa pjesëmarrës ishin edhe Qeveria, trupi diplomatik dhe institucionet evropiane.
Më 13 shkurt të këtij viti, Kuvendi ratifikoi marrëveshjen me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare FRONTEX.
“Jemi krenarë si popull që kjo Marrëveshje është marrëveshja e parë e nënshkruar me Bashkimin Evropian, në gjuhën maqedonase, pa shtesa, fusnota dhe yllza, që është dëshmi e mbrojtjes së gjuhës maqedonase dhe identitetit maqedonas, që me këtë Dokumentet janë të vendosura në nivel evropian, së bashku me të gjitha gjuhët dhe identitetet tjera të shteteve anëtare të BE-së”, tha Kovaçevski.
Sipas tij, FRONTEX nënkupton mbrojtje të kufijve shtetërorë, mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit, reagim në kohë ndaj të gjitha rreziqeve të sigurisë në vendin tonë, kontroll i lëvizjeve migratore, përballje me krimin ndërkombëtar, mundësi për të aplikuar standardet profesionale evropiane dhe ruajtjen e paqes ndërkombëtare dhe sigurinë.
Zyrtarët policor nga Maqedonia e Veriut dhe FRONTEX do të kenë operacion të përbashkët në kufirin maqedono-grek, gjegjësisht mbi 100 policë evropianë kufitarë do të punojnë së bashku me policinë kufitare maqedonase për të monitoruar dhe kontrolluar kufirin, patrullimin dhe mbledhjen e informacioneve për krimin ndërkufitar.
Maqedonia është vendi i pestë jashtë Bashkimit Evropian që pret një operacion të tillë të përbashkët, me marrëveshjen e parë të nënshkruar në rajonin e Ballkanit Perëndimor sipas mandatit të ri, të forcuar të FRONTEX.
“Ky është një tjetër zhvillim pozitiv në marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut. Praktikisht, falë këtij bashkëpunimi të përbashkët ndërmjet FRONTEX dhe policisë kufitare, kufijtë e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të jenë më të sigurt dhe do të forcohen përpjekjet e Evropës për të luftuar migrimin ilegal, kontrabandimin e emigrantëve dhe aktivitete të tjera kriminale, që është një interes i përbashkët i të gjithë neve”, tha ambasadori evropian Gir.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se kjo ngjarje e përbashkët me FRONTEX-in dërgon një mesazh shumë të rëndësishëm – se nuk jemi të vetëm në përballjen me migracionin ilegal, ndërsa sfidat moderne të sigurisë kërkojnë qasje partneriteti dhe reagim të përbashkët.
“Forcimi i bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe në përgjithësi përmbushja e prioriteteve të agjendës evropiane sjell përfitim konkret për qytetarët tanë. Pasi angazhimi ynë i përbashkët në trajtimin e migracionit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar do të sigurojë në mënyrë të pashmangshme siguri më të madhe si për qytetarët e vendit tonë ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Në këtë aksion të përbashkët ecim bashkë, si partnerë të barabartë, sepse vetëm me qasje të përbashkët dhe të koordinuar mund të përballemi me sukses me sfidat globale”, theksoi ministri Spasovski.
Për drejtorin ekzekutiv të FRONTEX,, sot është një moment historik i rëndësishëm pozitiv.
“Këtu kemi gjetur një partner të përkushtuar që ndan angazhimin tonë për ruajtjen e integritetit të kufijve tanë. Së bashku do të punojmë pa u lodhur për të mbrojtur qytetarët tanë dhe për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë për të gjithë rajonin”, thotë Leitens.
Operacionet e FRONTEX fillimisht do të mbulojnë kufirin jugor me Republikën e Greqisë. Ato janë planifikuar të zgjerohen më vonë, kështu që pritet të mbulojnë kufijtë me Republikën e Serbisë dhe Republikën e Shqipërisë.