“Llaskarca” po na mbyt të gjithëve

Më 13 shkurt, të këtij viti u bënë 4 vjet nga ngjarja tragjike e aksidentit të autobusit në afërsi të fshatit Llaskarcë të Shkupit, ku tragjikisht humbën jetën 16 persona dhe mbi 30 të tjerë u lënduan. Qytetarët, para se gjithash familjarët e viktimave, por edhe vetë të lënduarit në këtë aksident kërkojnë drejtësi, por drejtësia është bllokuar në gjykatën ku shija për drejtësi, ka filluar të mbajë erë të qelbur.

Suad Bajrami
Shkruan: Suad Bajrami

Katër seanca me radhë, avokatët janë marrë vetëm me një ekspert i cili ka qenë pjesë e ekipit të superekspertizës makinerike, ndërkaq afër 10 seanca me të gjithë ekipin. Me dhjetëra herë, ekspertit i parashtrohen të njëjtat pyetje, ndërkaq kolegët ankohen te gjykatësja se të njëjtat përsëriten dhe përmbajnë komente.

Nëse pyet dikush se kur do të mbarojë gjykimi, kjo gjë është e paparashikueshme. Pas ekspertëve të superekspertizës makinerike duhet të ftohen ekspertët e komunikacionit, të cilëve kush e di sa qindra pyetje do t’u parashtrohen e kush e di sa “vrima ligjore” do të gjejnë për të zvarritur procedurën.

Palët po shfrytëzojnë çdo mundësi që t’ia hedhin njëri-tjetrit. “Durmo Turs” me këmbëngulësi tenton që të arsyetohet para gjykatës se ata si kompani nuk janë fajtorë, pasi që sipas tyre, autobusi ka qenë teknikisht në rregull. Nga ana tjetër, avokati i shoferit, tenton që të dëshmojë se ai nuk ka pasur faj, pasi që autobusi nuk ka qenë teknikisht në rregull.

Se cili ka të drejtë dhe kush është fajtor, duhet të vendos gjykata që ndanë drejtësinë.

Por, kjo drejtësi tanimë 4 vite po u mohohet familjarëve të viktimave. Po i mbyt edhe më shumë kur me sytë e tyre shohin se si palët kacafyten dhe “tallen” me dhimbjen e tyre, në sy të publikut.

Po na mbyt dhe ne të gjithëve që mendojmë se jetojmë në shtet demokratik që aspiron  anëtarësimin në BE, ku drejtësia është një prej shtyllave kryesore të ekzistencës dhe funksionimit të shtetit.

Po e mbyt dhe gjyqësorin, e cila është hallka më e dobët e shtetit tonë, mu për shkak të këtyre rasteve, kur qytetarët presin të fitojë drejtësia, por në fakt fiton zhgënjimi.

E si ti thuash qytetarit të besojë në drejtësi, kur katër vite nuk ka aktgjykim për një rast ku 16 persona kanë humbur jetën e mbi 30 të tjerë kanë parë dhe përjetuar tmerrin me sytë e tyre dhe për fat të mirë kanë shpëtuar vetëm me lëndime.

Si ti thuash qytetarit të besojë në drejtësi, ku po nga ky sistem gjyqësor ish shefi i Policisë Sekrete po shpëton nga lëndët një nga një, e për të cilat do të duhej të vuajë dhjetëra vite burg, pasi gjyqtarët lejojnë të vjetërsohen veprat e tij penale.

Si të besojmë kur është po i njëjti sistem, i cili nuk arriti ta fut prapa hekurave Nikolla Gruevskin dhe shumë bashkëpunëtorë të tyre, të cilët këtë shtet e shndërruan në një copë kulaçi ku në shpinë dhe emër të qytetarit, çdokush mundohet të rrjep sa të mundet e në fund, të mos mbajë llogari pasi s’ka kush “t’i bie çekanit”.

Për këtë, më së miri flasin numrat e anketave për besueshmërinë e qytetarëve nga gjyqësori, por dhe konkluzat dhe notat e raporteve nga organizatat dhe institucionet kredibile të brendshme dhe ndërkombëtare.

Nëse me të vërtetë duan që të përmirësohet imazhi dhe besueshmërinë te qytetarët, autoritetet gjyqësore duhet të jenë më efikas, pasi që ashtu siç thotë Luterking “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.

Shpresojmë që në këtë rast të mos mohohet drejtësia, së pari për hir të 16 shpirtrave të cilët tragjikisht humbën jetën, dhjetëra të tjerëve që panë vdekjen me sytë e tyre dhe gjithë ne qytetarët që presim të funksionojë shteti ligjor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button