Gazetarët gjysmë ore i pritën palët e “Llaskarcës”, u anulua seanca e sotme gjyqësore

Gazetarët dhe kameramanët gjysmë ore sot i pritën palët e procesit gjyqësor në lidhje me aksidentin e autobusit i cili ka ndodhur në vitin 2019-të në Llaskarcë të Shkupit, në të cilin kanë humbur jetën 16 persona dhe mbi 30 të tjerë janë lënduar. Seanca as nuk filloi, asnjëri prej të akuzuarve dhe avokatëve nuk u pa në gjykatë, njofton Portalb.mk.

Gjykata Penale nuk ka dhënë asnjë njoftim për mediat se do të anulohet seanca, ndërkaq pas gjysmë ore pritjeje, njëri prej policëve gjyqësor pyeti dhe më pas i njoftoi gazetarët se seanca është shtyrë për më 20prill, duke mos njoftuar për arsyet e anulimit të seancës së sotme.

Në katër seancat e kaluara është pyetur eksperti nga ekipi i cili e ka bërë superekspertizën mekanike të autobusit të aksidentuar, Zekirja Zekiri.

Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, me superekspertizën pretendojnë t’ia hedhin fajin vetëm shoferit të autobusit, duke shmangur përgjegjësinë për gjendjen e rregullt teknike të autobusit. Nga ana tjetër, avokati i shoferit të autobusit, pretendon që shoferi nuk ka faj, por ka kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike. Prokurori konteston përgatitjen profesionale të ekspertit, ndërkaq familjarët e viktimave, vlerësojnë se deklaratat e Zekirit nuk janë të qëndrueshme dhe se ka pasur ndërhyrje të vazhdueshme nga kolegët e tij, të cilët kanë qëndruar pranë tij.

Nga seancat paraprake ku ka dëshmuar Zekiri:

Superekspertiza që Gjykata e ka porositur në dhjetor të vitit 2021 u refuzua nga Fakultetet e shtetit, me sqarimin se ekspertët e tyre tanimë kanë marrë pjesë në ekspertizë paraprake dhe se nuk janë kompetentë për të njëjtën.

Procesi gjyqësor ka filluar në shtator të vitit 2019-të. Gjykatëse e lëndës është Diana Gruevska Ilievska.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button