Zyrtare: Shqipëria në Serbi – pa tifozë

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) përmes një njoftimi ka njoftuar opinionin publik se nuk mund të bëhet më asgjë për të siguruar akomodimin e mbështetësve të kombëtares në stadiumin e Beogradit.

Sfida mes Serbisë dhe Shqipërisë luhet të martën që vjen në Beograd, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2016.

“Kombëtarja shqiptare e futbollit do të udhëtojë për në Serbi pa tifozët e saj. Në bazë të rekomandimeve të ardhura nga UEFA, në një letër të mbërritur të shtunën në FSHF, është vendosur që për ndeshjen e 14 tetorit në Beograd të udhëtohet pa tifozë. Në të njëjtën mënyrë, do të veprojë edhe Federata Serbe, me tifozët e saj në Elbasan, të cilët gjithashtu s’do të jenë të pranishëm”, është thënë në njoftimin e FSHF-së.

Duket se ky vendim ka ardhur as pas këmbënguljes së palës serbe për të mos pranuar tifozë shqiptarë nga Kosova apo nga diaspora, të cilët nuk janë pajisur me pasaportë shqiptare.

Ky kusht nuk u pranua nga pala shqiptare, e për rrjedhojë, duke marrë në konsideratë edhe rekomandimet e UEFA-s, u vendos që mos të ketë tifozë miq në të dyja përplasjet me Serbinë.

Lajme të ngjashme

Back to top button