De Biasi: Luajmë gjithmonë për fitore

Trajneri italian i kombëtares në konferencën për shtyp në Durrës shpalos objektivin për të marrë 3 pikë ndaj Danimarkës.

Shmangia e euforisë dhe ruajtja e qetësisë ishte mesazhi kryesor i përcjellë nga trajneri Gianni De Biasi në prag të përballjes me Danimarken në “Elbasan Arena”. Trajneri italian theksoi që në fjalën e tij se mendja e kuqezinjve është dhe duhet të jetë vetëm për takimin me danezët, që sipas 58 vjecarit mbetet një kundërshtar cilësor dhe i vështirë për t’u mundur.

“Kemi kaluar një javë të qetë, jemi stërvitur mirë dhe kemi të gjithë dëshirë të ruajmë vazhdimësinë e ndeshjes me Portugalinë për të dalë me një rezultat pozitiv në këtë ndeshje. Kur e kemi analizuar këtë grup kemi evidentuar tri skuadra superiore, Portugalia, Serbia dhe Danimarka. Kemi marrë një rezultat të papritur në Portugali, por të merituar. Tani do të luajmë ndaj Danimarkës dhe duhet ta harrojmë suksesin në ndeshje e parë dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Duhet ta luajmë këtë takim me zemër por mbi të gjitha me mendje, sepse nuk mund t’i lejojmë vetes asnjë gabim”

Pritshmëritë për këtë ndeshje janë të mëdha, madje edhe nga vetë De Biasi, që si gjithmonë nuk vë bast për barazimin, edhe pse e pranon më pas se edhe një pikë mund t’i kënaqë kuqezinjtë, në varësi të lojës.

“Varet, varet nga ndeshja. Është e qartë se apriori ne nuk futemi në fushë për të marrë një pikë, por do të përpiqemi të bëjmë tre. E dimë që kundërshtari ynë ka cilësi teknike dhe fizike të larta, ndaj duhet të jemi shumë të zgjuar, për ta provuar suksesin në të gjitha mënyrat. Nëse marrim vetëm një pikë, do ta vlerësojmë më pas nëse është rezultat i kënaqshëm. Objektivi i parë edhe të futemi në fushë dhe të marrim maksimumin”

I pyetur për formacionin titullar, De Biasi e anashkaloi përgjigjen, për të mos u dhënë më shumë të dhëna kundërshtarëve, që vijnë me mungesa të rëndësishme në qendër të mbrojtjes./sp/

Lajme të ngjashme

Back to top button