Edhe një grup tjetër vrojtuesish shqiptarë në Kërçovë

Vrojtimi – skautizmi, kohën e fundit, merr një hov edhe te popullata shqiptare dhe këtë e dëshmon krijimi i një grupi të ri shqiptar vrojtuesish në Kërçovë i quajtur “Uskana”. Në krye të grupit do të qëndroj Anife Musoska e cila ka një përvojë tre vjeçare si ish anëtare e grupit të vrojtuesve “Bashkimi” po ashtu nga Kërçovë, gjegjësisht Zajazi. 

Vrojtimi – skautizmi është një fenomen i ri mes shqiptarëve të Maqedonisë dhe grupet e këtilla merren me vrojtimin e natyrës, shëtitje në natyre, qëndrimi nëpër kampe, vizitat në malet më të larta të Maqedonisë dhe disa vrojtime jashtë vendit.

Për Portalb, Anife Musoska tha se së shpejti do të bëhet regjistrimi i grupit në regjistrin qendror pastaj edhe në lidhjen e vrojtuesve të Maqedonisë.

“Ky grup formohet me ndihmën dhe iniciativën e grupit ku unë kam qenë pjesë për tre vite, grupit të vrojtuesve “Bashkimi” nga Zajazi. Prej aty erdhi ideja që të formohet edhe një grup tjetër në Kërçovë sepse ka pas interesim të madh nga ana e fëmijëve por distanca shpesh e ka bërë të pamundur udhëtimin e tyre fshat-qytet.” – shtoi Musoska.

Grupi i sapo formuar kanë selinë e tyre në Kërçovë.


Një grup i këtillë në një të ardhme të afërt planifikohet të formohet edhe në ish komunën e Osllomesë.  Për këtë iniciatorët kanë hasur në mbështetjen e kryetarit të Komunës së Kërçovës, Fatmir Deharit i cili ju ka premtuar seli në ambientet e objektit të ish Komunës së Osllomesë. 

Dehari edhe më herët ka mbështetur vrojtuesit shqiptarë me forma të ndryshme. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button