Arifi: “Në Resnjë për fitoren e radhës”
Skuadra e FC Shkupi në xhiron e radhës do të jetë mysafire e Mlladost CD, skuadër kjo që këtë sezon debuton si anëtare e Ligës së Dytë, por me përforcimet që i ka bërë, është një nga ekipet që synon kreun e tabelës.
Shkupi e ka filluar sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mos e shijuar në asnjë ndeshje disfatën dhe duke i mbyllur të gjitha sfidat me fitore, ka treguar qartë aspiratat e kësaj skuadre se këtë vit synon të jetë kandidati kryesor për kthim në Ligën e Parë.
Një nga futbollistët që e ka filluar në mënyrën më të mirë aventurën e tij te Shkupi, ështe dhe përforcimi i ardhur nga Vrapçishti, Fatmir Arifi, që deri më tani ka shënuar 5 gola në 4 paraqitje.
“Sigurisht se do të jetë edhe kjo ndeshje e vështirë për ne, pasi që secilën ndeshje e marrim me shumë seriozitet dhe nuk nënvlerësojmë asnjë kundërshtarë. Mlladosi ka një ekip të mirë dhe do të jetë vendase, ndërsa ne si zakonisht nisemi për të marrë dhe fitoren e radhës.
Kemi punuar me shumë angazhim dhe jemi të gatshëm të plotësojmë kërkesat e trajnerit Zekerija Ramadani. Shkupi është ekip e madhe dhe secila skuadër do të dëshirojë që të na fitojë, por nuk do ta kenë aspak lehtë. Shpresoj të vazhdojë me lojë të mirë, gjithsesi do të ishte mirë që loja e mirë edhe të konkretizohet me ndonjë gol të shënuar”, ka thënë Arifi.
FC Shkupi në ndeshjen që luhet të shtunën në Resnjë kundër Mlladost CD, do të jetë e kompletuar dhe pa asnjë mungesë, pasi në ekip kthehet edhe Dimitrija Llazarevski, i cili në ndeshjen ndaj Vëllazërimit mungoi shkaku i lëndimit.
Ndeshja Mlladost CD – FC SHKUPI do të luhet në stadiumin e qytetit në Resnjë me fillim në orën 16:30. / Portalb /